Arbëri

Gërxhaliu: Shkalla e inflacionit 20 për qind, sektori privat më i godituri

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, deklaroi se shkalla e inflacionit në Kosovë ka shkuar deri në 20 për qind, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa siç tha ai, nga kriza më së tepërmi është goditur sektori privat.

Gërxhaliu tha në “60 Minuta” të KTV-së të mërkurën se kriza ekonomike në Kosovë është bërë më tepër se shqetësim social, derisa shtoi se Qeveria nuk po bën sa duhet për ta menaxhuar situatën.

“Pasi kemi inflacion, që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, është afro 20 për qind, jemi shoqëri që këtë vit do të arrijmë rekordin e importeve, 5 miliardë euro. Është një shqetësim dhe krahas importit, po importojmë inflacion dhe më këtë po goditet shtresa e ulët. Qeveria duhet të gjejë mekanizma për t’i menaxhuar efektet e inflacionit. Në këtë drejtim, gabimi më i madh është që nuk është pranuar kriza në krizë, ndërsa në botë kanë paralajmëruar kriza”, deklaroi Gërxhaliu.

Sipas njohësit të ekonomisë, fakti që Kosova s’ka rezerva shtetërore është brengë kryesore, ndërsa për Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, Gërxhaliu tha se i dëmton bizneset, dhe para se të miratohej ky ligj “duhej të shpallej gjendje e jashtëzakonshme”.

“Besoj se duhet një dialog i mirëfilltë. Në këtë mënyrë po dëmtohet sektori privat. Është shqetësuese heshtja e këtij sektori.Nëse do të kemi tkurrje të të hyrave, do të kemi rënie të qarkullimit të parasë, do të kemi shuarje të bizneseve dhe largime nga puna. Me këtë qasje dhe me vendimet e tilla kam frikën se Kosova po rrëshqet drejt një shteti social, sesa atij zhvillimor. Nëse në këtë mënyrë nuk mbështetet sektori privat, nëse shikohet vetem pëer ta penalizuar, është rrezik që do t’i kushtojë Kosovës. Privati ka bërë hsumë hapa para politikës”, deklaroi ai.

Me këtë ligj, që u miratua të martën, Gërxhaliu tha se më tepër do t’iu ndihmojë bizneseve të mëdha, sesa atyre të vogla. Gërxhaliu deklaroi se duhet që të shtohet numri i inspektorëve dhe të mos shihet interesi i partive apo politikës, në raport me inflacionin.

“Duhet shtimi i inspektorëve, funksionalizimi i autoriteteve, digjitalizimi nga hyrja në kufi, nga Administrata Tatimore, nga Dogana dhe në markete. Duhet një maturi dhe analizë. Është një qasje anti-sektor privat dhe anti-biznese. Sektori privat nuk e meriton një qasje të tillë, në sektorin privat ka më së shumti të punësuar”.