Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në mbledhjen e Qeverisë që është mbajtur të mërkurën, ka informuar kabinetin qeveritar për zbatimin e programit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, gjatë periudhës korrik-shtator 2022.
Ai ka thënë se me vonesa në zbatim përballen 68 masa, nga gjithsej 235 masa që parasheh programi.
“Programi kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit i ka gjithsej 235 masa afatshkurtra, prej të cilave 89 janë masa legjislative kurse 146 janë masa zbatuese. Deri në fund të shtatorit kemi zbatuar në tërësi 69 masa, me vonesa përballen 68 sosh, ndërsa pa vonesa por ende në zbatim janë 98 masa”, është shprehur Bislimi.
Sipas tij, krahasuar me tremujorin paraprak, dinamika e zbatimit të masave për periudhën korrik-shtator 2022 është ngadalësuar.
“Gjatë periudhës raportuese dinamika është ngadalësuar pak krahasuar me tremujorin e dytë, meqë nga masat e planifikuara legjislative, nga 27 sosh janë zbatuar vetëm 9, ndërsa 17 nuk janë zbatuar në tërësi, pra kanë disa vonesa serioze”, ka theksuar Bislimi.
Qeveria në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar Projektligjin për sistemin qendror të evidencës penale të Kosovës, Projekt-udhëzimin administrativ për caktimin e listës dhe llojeve të pajisjeve ndihmës që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë që shërbejnë për lëvizje, parandalim dhe asistim, Projekt-udhëzimin administrativ për regjistrimin, funksionimin dhe çregjistrimin e Organizatave joqeveritare, Propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Republikan të Festave, atë për shitjen e automjeteve zyrtare të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë, Draft- planin kombëtar të radio frekuencave, Draft-konceptdokumnetin për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, Propozim-vendimin për themelimin e Komisionit ekzekutiv për digjitalizim si dhe Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit legjislativ për vitin 2022.