Esat Kelmendi nuk do të jetë drejtor i Zyrës Ligjore të Universitetit të Prishtinës pasi është shfuqizuar vendimi i rektorit të UP-së i cili e sistemoi në këtë pozitë.
Kelmendit iu ka shfuqizuar kontrata e lidhur mes tij dhe UP-së për këtë pozitë, duke e obliguar zyrën e personelit në universitet që atë ta emërojë në pozitë adekuate.
Shkarkimi i Kelmendit është bërë për shkak se emërimi i tij binte ndesh me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Sipas ligjit, zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet apo emërohet për dy vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse apo menaxhuese.
Kelmendi është emëruar në pozitën e drejtorit të Zyrës Ligjore të UP-së në fillim të vitit, në më pak se dy javë pas përfundimit të detyrës si Sekretar i Përgjithshëm i UP-së, që është funksion publik dhe bie ndesh me ligjin.
{gallery}