Pesë profesorë dhe një dekan ia kanë mësyrë pozitës së rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova dhe Qerim Qerimi janë gjashtë kandidatët në garën për të udhëhequr me UP-në, gjatë katër vjetëve të ardhshëm.
Por Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, e ka kontestuar kredibilitetin e disa prej këtyre kandidatëve.
“Fakti që në mesin e gjashtë kandidatëve kanë aplikuar njerëz me të kaluar të dyshimtë, si shembuj të përfolur për afera korruptive apo që kanë pasur pjesëmarrje aktive në sabotazh të integritetit akademik të UP-së, tregon se shkarkimi i rektorit dhe situata aktuale po shërbejnë si mobilizim për grupet e interesit, të cilat duan ta çojnë në regres Universitetin e Prishtinës”, thuhet nga ORCA.
Ndaj kandidatit Ilir Tolaj ishin ngritur dy aktakuza, nën dyshimin për afera korruptive gjatë kohës sa ishte sekretar në Ministrin e Shëndetësisë. Por, në mungesë të fakteve, aktakuzat ndaj tij u rrëzuan e disa nga pikat u parashkruan, shkaku i vonesës në trajtimin e lëndëve.
Kandidati Salih Salihu ishte deputet në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit, fillimisht si pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e pastaj i Partisë Socialdemokrate.
I përfshirë me punë nga partia në pushtet ishte edhe juristi Qerim Qerimi, që ishte angazhuar nga Qeveria Kurti për ta ndihmuar shtetin në kontestet e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
E ndryshe prej ORCA-s, në Parlamentin Studentor thanë se përgatitja akademike e të gjashtë kandidatëve është e pakontestueshme.
“Të gjithë janë emra me integritet me Qerim Qerimin, Salih Salihu, But Deda, janë profesorë që kanë stazh këtu në Universitetin e Prishtinës dhe nuk besoj që është e drejt me kontestuar pranueshmërin e tyre si Rektor”, tha Bleron Beka nga Parlamenti Studentor.
Për t’i vlerësuar dosjet e kandidatëve, Senati gjatë ditës zgjodhi Komisionin Vlerësues, me pesë anëtarë.
Në mbledhje u kërkua gjithashtu që në ueb faqe të Universitetit të publikohen aplikimet e kandidatëve, porse kjo kërkesë nuk mori miratim.
Gara për rektorin e ri të UP-së u hap pasi tri javë më parë, nga kjo pozitë u shkarkua Naser Sahiti, shkaku që performanca e tij dyvjeçare ishte vlerësuar e dobët dhe me mungesë strategjie nga Këshilli Drejtues.
Deri në përfundimin e procesit të konkursit, pozitën e rektorit është duke e ushtruar Luljeta Plakolli-Kasumi.