Arbëri

32 zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës

Gjithsej 32 punonjës serbë, përfshirë prokurorë, kanë dhënë dorëheqje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Kjo ka shkaktuar tollovi në punën e përditshme të prokurorisë, e cila tani përballet me mungesë stafi, veçanërisht të prokurorëve.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë në emisionin “60 Minuta” në KTV se vëllimi i punëve është rritur jashtëzakonisht shumë pas dorëheqjes së 10 prokurorëve serbë nga aty.

“Numri i prokurorëve, stafit ndihmës dhe prokurorëve të dorëhequr serbë është 32 në total. 10 prokurorë dhe 22 staf administrativ kanë dhënë dorëheqje nesër. Vëllimi i punëve është rritur jashtëzakonisht shumë pasi në Departamentin e Përgjithshëm kemi vetëm një prokuror, i cili duhet të trajtojë të gjitha rastet. Kjo ka krijuar situatë të pafavorshme për Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”, ka thënë ai.

Preteni ka sqaruar se në prioritet po shqyrtohen lëndët urgjente. Ka shtuar se Këshilli Prokurorial është i njoftuar me vështirësitë që janë krijuar me punën dhe se kanë kërkuar mbështetje, si transferim “të ndonjë prokurori” nga vendet tjera.

“Lëndët e natyrës urgjente, si paraburgimet, sekuestrimet dhe dhunës në familje, jemi duke kërkuar mënyra që t’i trajtojmë këto raste dhe të mos kemi vonesa”.

Ai ka theksuar se aktualisht objekti i prokurorisë nuk është i cenuar nga ndonjë rrezik.

“Policia e Kosovës vazhdon ta sigurojë objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe për momentin nuk kemi ndonjë pasiguri, puna vazhdon normalisht”.