Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
Me këtë rast, thuhet se Osmani ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës me EULEX-in.
Osmani ka takuar edhe gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, për situatën e sigurisë, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn.
Më Jasharin diskutuan edhe për ngritjen e kapaciteteve, trajnimet dhe përgatitjet e FSK-së për ta realizuar misionin e saj. Kurse me Mehajn për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të sigurisë për të garantuar mjedis të sigurt për qytetarët.
Osmani ka pritur po ashtu drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit. Ajeti ka njoftuar Osmanin për situatën aktuale të sigurisë kombëtare. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e koordinimit të të gjitha institucioneve të sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës.