Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit Vjosa Osmani kanë pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.
Takimi ka ardhur pas situatës së krijuar, ku serbët në veri janë tërhequr nga institucionet e Kosovës.
“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla falënderuan Gjeneralmajorin Ristuccia për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht gjatë javëve të fundit, për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit. Në këtë takim u bisedua për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

E për takimin e presidentes Vjosa Osmani me komandantin e KFOR-it, Ristuccia, ka njoftuar Presidenca.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar dhe forcat e KFOR-it në Kosovë. Tutje, Presidentja Osmani ka potencuar se zbatimi i rendit dhe ligjit është objektiv i institucioneve të Kosovës dhe se nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar, pa dallim përkatësie etnike”, thuhet në komunikatën e Presidencës.