Pa vendimmarrje kanë mbetur aktualisht dy trupat kryesorë në Komisionin e Pavarur të Mediave, rregullatori ky i radiove, televizioneve e kabllorëve, që i përgjigjet Kuvendit.
Bordi i KPM-së, që me mandat ka shtatë anëtarë, kanë mbetur katër sosh, por janë pa kryetar që ia bën vendimmarrjen e pamundur.
Sipas KPM-së, bordin jofuksional e kanë nga 16 tetori i këtij viti.
Ngërçi është i madh edhe te Bordi i Ankesave të KPM-së, ku janë pa anëtar një prej tre anëtarëve që nga 17 marsi i 2021-tës. Për vonesën në përzgjedhje të anëtarëve të bordeve e kanë bërë përgjegjës Kuvendin e Kosovës. Të pashqyrtuara deri më tani, në Bord-in e KPM-së, janë 14 kërkesa, ndërsa 36 ankesa janë akumuluar për një vit e gjysmë në Bord të Ankesave.
Numri i kërkesave të pranuara dhe të cilat kërkojnë miratim nga KPM-ja është 14 kërkesa aktualisht. Ndërsa natyra e tyre, është e sqaruar si në vijim: një kërkesë për licencë për ofrues të shërbimit medial audiovizuel me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes; tetë kërkesa për ripërtëritje të licencës (në pajtim me nenin 25 të Ligjit për KPM), dy kërkesa për ndryshimin e pronësisë, një kërkesë për ndryshim të lokacionit të transmetuesit, një kërkesë për ndryshim të skemës programore, një kërkesë për shtyrjen e afatit të fillimit të transmetimit. Ndërsa numri i ankesave të dorëzuara në Bordin për Ankesa të KPM-së, janë ankesa ndaj vendimeve të Komisionit të KPM-së. Gjatë vitit 2021 kanë qenë 21 ankesa ndërsa gjatë vitit 2022 deri më tani numri është 15 ankesa.
Në Kuvend kanë thënë se janë duke ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes së ngërçit institucional në rregullatorin e mediave.
Për vonesat e plotësimit me anëtarë të Bordit të Ankesave të KPM-së thonë se ka pasur interesim të vogël, me nga 3 aplikime në konkurset e kaluara, ndërsa për Bordin e KPM-së asnjë prej anëtarëve nuk kishte marrë votat e mjaftueshme kur u votua në seancën e 6 qershorit të këtij viti.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, njëherësh kryetar i Komisionit për Administratë Publike, thotë se komisionet ad-hoc për këto borde do ta nisin punën drejt përzgjedhjes së kandidatëve javën e ardhshme.
"Ditën e hënë dhe ditën e premte është caktuar mbledhja e radhës për shqyrtimin e listave. Sot ka pasur vetëm konstituim të atyre dy komisioneve. Ku në të njëjtën kohë shfrytëzoj rastin tash që t’u bëj ftesë të gjitha atyre organizatave, të gjitha atyre mediave që duan ta monitorojnë procesin fillim e mbarim që të jetë proces transparent për të gjitha ato pyetje, përgjigje e selektim në këtë rast përzgjedhje të anëtarëve që do të përcillen për në Kuvend", tha Ramadani.
E thirrje për transparencë e përzgjedhje të komisioneve ad-hoc i kanë bërë nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës që përfaqëson interesat e mediave private.
Kjo në prag të mbledhjes së komisionit që pritet të mblidhet të hënën.
"Shumë e rëndësishme në këtë fazë është që ata të jenë njohës të fushës, njerëz që shumë shpejt do të jenë në gjendje të kapin dinamikën e punës dhe vendimmarrjes në KPM. Sfidat me të cilat karakterizohet rregullimi i mediave në këtë kohë, kërkojnë profesionistë të përkushtuar dhe të pavarur, e jo anëtare të cilëve iu kalon mandati pa e mësuar e kuptuar fushën e rregullimit të mediave, siç ka pasur raste në kaluarën. Në këtë mënyrë, duke qenë të papërgatitur profesionalisht, ata mund të janë lehtë të ndikueshëm, qoftë nga palët e ndryshme të interesit, qoftë nga politika".
Derisa zyra ekzekutive e KPM-së funksionon si organ i dytë, aktualisht është me ushtrues detyre.
Kryeshefi i saj, tashmë i pezulluar, Luan Latifi, po gjykohet për ryshfet bashkë me drejtorin e administratës Arben Bilalli.