Arbëri

Kurti: Situata e sigurisë në Kosovë rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara

Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën në veri të Kosovës gjatë vizitës së tij në Prizren ku është inauguruar Rrjeti për Hulumtim e Edukim.

Kurti i pyetur për gazetarët për situatë në veri, ka thënë se ajo po rrezikohet nga individë e grupe të kriminalizuara.

Ai ka thënë se gjatë 20 muajve të fundit Qeveria e Kosovës ka luftuar krimin e korrupsionin, duke shkatërruar ndër të tjera gjashtë laboratorë të drogës në veri të Ibrit, e po ashtu duke ndaluar keqpërdorimin me anë të prodhimit të kriptovalutave.

“Kosova është shtet demokratik e serioz, ligjshmëria e kushtetutshmëria s’mund të kompromentohen. S’ka individë e grup më të fuqishëm se shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por në bazë të veprave të paligjshme”, tha Kurti.

Ai ka thënë se është vazhdimisht në kontakt me partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa u ka bërë serbëve në veri thirrje të mos braktisin institucionet.

Përfaqësuesit serbë në veri kanë vendosur të shtunën të tërhiqen nga institucionet e Kosovës. Sot kanë dorëzuar dorëheqjet kryetarët e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, ndërsa po ashtu kanë dhënë dorëheqje edhe asamblistët nga radhët e Listës Serbe.

Po ashtu kanë dorzuar dorëheqjet edhe policët serbë në veri. Ndërsa kanë njoftuar dorëheqje edhe gjyqtarët e prokurorët serbë në veri.

“Ftojë qytetarët serbë të vendit tonë të mos i braktisin institucionet e Kosovës, të mos japin dorëheqje, të mos i lëshojnë vendet e punës, pasi në këtë mënyrë dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata s’kanë presion nga ne, por thirrje dashamirëse. Presioni vjen nga Beogradi që e do destabilizimin e Kosovës”, tha Kurti.

Ai ka thënë se ka gjasa që Serbia nuk dëshiron të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe e ka zgjedhur këtë mënyrë.

Ndërsa sa i përket asaj nëse kjo situatë mund të ndikojë te çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, Kurtiu ka thënë se nuk ka një lidhje mes dyjave dhe se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.

E për propozimin franko-gjerman, Kurti ka thënë se duhet Bashkimi Evropian, si lehtësuese e dialogut të prononcohet për këtë gjë.

“Unë mund të them se dialogu me mua është parimor, i barabartë, simetrik e diskutohet raporti i Kosovës me Serbinë, e nuk bëhet Kosova temë, siç ka ndodhur në dhjetëvjetëshin e kaluar. Jemi në një pozitë shumë më të favorshme, e kjo po e bën Beogradin më nervoz”, ka thënë Kurti. “E shihni ish-zëdhënësin e partisë së Millosheviqit, si po e vazhdon mendësinë e qëndrimin e ish-shefit të tij”.