Arbëri

Policia: Do të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u përballur në rast cenimi të sigurisë

Policia e Kosovës ka thënë ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin.

Në një komunikatë për media, policia ka shtuar se në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave “ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues”.

Sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale, policia ka thënë se do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

PK-ja njoftoi se njësitë janë duke qarkulluar sipas angazhimeve dhe detyrave policore, por ka mohuar se ka përfshirje të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, KOHA ka publikuar video nga veriu ku janë parë autoblinda policore duke shkuar atje.