Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka konfirmuar pranimin e përgjigjeve nga Kosova dhe Serbia përkitazi me propozimin franko-gjerman për dialogun. Ai tha se tani janë duke u analizuar përgjigjet e marra. Kryeministri Albin Kurti, që deri tash ka refuzuar të shpalosë qëndrimin rreth planit, pas Samitit të Berlinit tha se nuk është për zgjidhje të shpejta të cilat cenojnë sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit.
Kosova dhe Serbia tashmë i kanë deponuar përgjigjet e tyre përkitazi me propozimin e Gjermanisë dhe Francës për dialogun. Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, para takimit të ministrave të punëve të jashtme të G7-s.
“Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët, po i studiojmë ato, dhe mendoj se ky është një rast i mirë që duhet të shfrytëzohet për ta bërë më normale marrëdhënien mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të dyja të përfitojnë në rrugën evropiane. Ky normalizim i marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm, dhe në ditët në vijim do të shohim se cila është përgjigjja për këtë propozim, dhe shpresoj se do të ketë një përparim dhe një hap përpara në këtë proces”, ka thënë Borrell.
Plani gjermano-francez nuk është publikuar. E, përfaqësues të Qeverisë bënë të ditur këtë javë se qëndrimin e Kosovës për këtë dokument, kryeministri Albin Kurti do t’ia prezantojë kancelarit Olaf Scholz të mërkurën, në margjina të Samitit që është mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit.
Borrell ishte në këtë samit dhe shprehu pritjen për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
E, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, tha se Borrell u ka kërkuar të dyja palëve që të bëjnë përparim të shpejtë mbi propozimin dhe ka mandatuar përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të vazhdojë diskutimet me të dyja palët.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, që është çelësi, për të avancuar në rrugën e tyre evropiane. Por siç e dini, kur bëhet fjalë për plane, për letra, për dokumente të brendshme, nuk mund të shkojmë përtej asaj që u tha publikisht nga presidenti i komisionit dhe Përfaqësuesi i Lartë, Borrell”, është shprehur zëdhënësja e BE-së.
Pas takimit në Samitin e Berlinit, kryeministri Kurti tha se nuk është për zgjidhje super të veçanta të problemeve, porse shprehu nevojën për një marrëveshje me kornizë të përgjithshme. Ai tha se Qeveria nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit.
Ndërkaq kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se janë duke u angazhuar ta bëjnë realitet planin e propozuar para disa javësh.