Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim për tri infermieret e dyshuara për sulmin fizik ndaj 70-vjeçares, në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë. Seanca për shqiptimin e kësaj mase është mbajtur të enjten. Katër infermiereve, përfshirë edhe atë që e realizoi videon, Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka revokuar licencat, ndërkohë Shoqata e Pacientëve ka kërkuar që licenca t’i merret edhe qendrës, ku po qëndronte e moshuara
Tri infermieret që keqtrajtuan 70-vjeçaren në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda”, të enjten, kanë dalë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Pejës.
Prokuroria ka kërkuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për secilën prej të dyshuarave.
Ato janë në ndalim që nga dita e djeshme, kur u publikua videoja që shpërfaqi implikimin e tyre në sulmin fizik ndaj të moshuarës, derisa infermierja e katërt, e cila kishte xhiruar sulmin, është liruar pas intervistimit nga Policia.
Infermieret, sipas prokurorit të rastit, Dorian Juniku, ngarkohen me veprën penale të sulmit, të konsumuar në bashkëkryerje.
Prokurori njoftoi se me nisjen e procedurës penale hetimet do të zgjerohen.
“Ne kemi autorizuar Policinë që të fillojnë me intervistim edhe të personelit, por edhe me pjesën e mbetur të banorëve. Kemi të bëjmë me një rast, i cili ka kërkuar veprime të shumta intensive, por pritet gjithsesi të përfundojë edhe deklarimi apo intervistimi i tyre”, ka thënë Juniku.
Në deklaratën e saj dhënë Policisë, protagonistja kryesore, që shihet duke e goditur të moshuarën, tha se e gjitha ishte në vetëmbrojtje. Shtoi se me herët ishte sulmuar dhe se duhej të tregohej dominuese ndaj saj. Por, ish-infermieret e kësaj qendre, që janë përkujdesur për të moshuarën, thonë se viktima asnjëherë nuk ka shfaqur shenja të dhunës.
“Me nënën Minire kemi kaluar shumë mirë, jo vetëm unë, por të gjithë si staf. Asnjëherë nuk ka shfaqur shenja të dhunës ndaj nesh, stafit. Asnjëherë nuk ka tentuar të na rrahë qysh ka raportuar ish-kolegia”, ka thënë ish-infermierja në këtë qendër, Valmira Gergoci.
Për rastin që ndodhi të shtunën e javës së kaluar, e që u bë publik të mërkurën, të katër infermiereve të përfshira Oda e Infermierëve të Kosovës ua revokoi sot licencat.
Nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve kanë kërkuar që përveç infermiereve, licenca t’i merret edhe qendrës “Orenda” në Pejë.
Sjellja e personelit në këtë qendër ka shtyrë familjarët që të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së familjarëve të tyre nga aty.
“Dje kanë menduar familjarët, djemtë dhe vajzat për ta tërhequr, por për momentin pa u zgjidhur se çfarë problemi është, nuk vjen në shprehje. Se çfarë hapi do të merret nesër, pasnesër nuk mund t’ju them”, ka thënë familjari Gjergj Hasanaj.
Lidhur me këtë rast është paralajmëruar protestë për të premten në qytetin e Gjakovës.
Momenti i sulmit fizik ndaj 70-vjeçares është shpërndarë edhe në mediat e huaja dhe është cilësuar shokues.