Kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencë për media pas mbajtjes së Samitit të Berlinit, është shprehur i lumtur me nënshkrimin e marrëveshjeve. Ai ka thënë se gjithmonë ka qenë pro zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përfshirjes së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor atje.
Scholz tha se me nënshkrimin e tri marrëveshjeve të reja është lehtësuar jeta e qytetarëve.
“Zhvillimi i Ballkanit Perëndimor e integrimi i tij në BE është gjë shumë e rëndësishme për ne. Pranimi në BE i këtyre shteteve është në interes tonë, e veçanërisht duke marrë parasysh luftën brutale të Rusisë në Ukrainë. Reformat janë të nevojshme në BE e në rajon. Për këtë është me rëndësi të shtyjmë para bashkëpunimin rajonal, të zgjidhim konfliktet afatgjate në rajon e të përmirësojmë bashkëpunimin rajonal. Që nga viti 2014 Procesi i Berlinit i ka dhënë rëndësi të madhe këtij efekti, ka sjellë bashkë njerëzit, ka rritur lidhjet në gjitha nivelet, duke ndërtuar rrugë, e ka përforcuar ekonominë e vendeve, e ka kontribuar duke përmirësuar fqinjësinë. Përshëndes shtetet e Ballkanit Perëndimor për nënshkrimin e marrëveshjeve, është sukses i madh për qytetarët e rajonit”, ka thënë Scholz.
Në konferencë për media ka marrë pjesë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria do të organizojë Samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.