Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka njoftuar se të premten do të merret vendim për fillimin e protestave sa i përket pakënaqësive me subvencionet e ndara nga pakoja për luftimin e inflacionit.
Përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, Azemi ka kërkuar nga kryetarët e shoqatave që të jenë të pranishëm në takim për të vendosur tutje se si të veprohet.
“Njoftohen kryetarët e shoqatave sindikale të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës se më datë 02.11.2022 pas takimit me disa kryetarë të shoqatave, u vendos që të premten, më datë 04.11.2022 do të merret vendim për fillimin e protestave për mosstimulimin nga pakoja kundër inflacionit të dhënë nga Qeveria e Kosovës për punëtorët e sektorit privat, andaj më datë 04.11.2022 kryetarët e shoqatave të vini në takim me vendimet e anëtarësisë lidhur me fillimin e protestave”, ka shkruar Azemi.
Në pakon e prezantuar më 3 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar pakon 150 milionë euroshe për luftimin e inflacionit, në të cilën është përfshirë edhe ndihma për punëtorët e sektorit privat, me gjithsej 50 për qind subvencionim i rritjes së pagës deri në 100 euro për 3 muaj.