Arbëri

Eksperti i Bankës Botërore: Tërheqja e mjeteve nga Trusti do ta nxiste më tej inflacionin

Eksperti i Bankës Botërore, Richard Record, shprehet kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, pasi, siç ka thënë, një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë inflacionin, që aktualisht është mbi 12 për qind.

“Masa e propozuar për të lejuar një rund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin”, ka thënë Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.

Qeveria e Kosovës, deri më tash, ka kundërshtuar, ndonëse në vitin 2020, ajo u ka mundësuar qytetarëve të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti, për të përballuar, siç është thënë, vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

“Masat në përgjigje ndaj inflacionit duhet të jenë të shënjestruara dhe me afat të kufizuar kohor”, ka thënë Record.

Ai ka thënë se e gjithë bota po sheh një valë në rritje të inflacionit si rezultat i luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të presioneve ekonomike që janë rritur që nga pandemia.

Record ka theksuar se sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, inflacioni global arriti në 9.3 për qind në shtator, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

“Sigurisht, Kosova nuk bën përjashtim në shënimin e këtij trendi rritës të inflacionit. Adoptimi i njëanshëm i euros si monedhë në fillim të viteve 2000 ka gjeneruar një sërë përfitimesh për ekonominë e saj, duke përfshirë presionet e kufizuara të brendshme ndaj inflacionit, regjim të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe mjedis më të parashikueshëm për zhvillimin e sektorit privat. Megjithatë, ky vendim do të thotë gjithashtu se autoritetet, në fakt, kanë hequr dorë nga kontrolli i tyre mbi politikën monetare dhe barra e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik bie tërësisht mbi sektorin fiskal”, ka theksuar Record.

Ai ka thënë se në aspektin praktik, Kosova duhet të mbajë nivele adekuate të rezervave buxhetore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik

“Si një vend i ri, Kosova është ende duke zhvilluar tregjet e saj të borxhit dhe, së këndejmi, ka maturime të shkurtra në stokun e saj të borxhit të brendshëm, mesatarisht rreth 3 vjet. Vetëm për të ruajtur stokun aktual të borxhit të brendshëm, Kosova duhet të rifinancojë shumë nga bonot e thesarit gjatë vitit. Në të gjithë globin, kostot e financimit sovran po shtrëngohen, ndërsa normat e interesit po rriten për të zbutur inflacionin”, ka deklaruar Record.

Ai ka thënë se rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë po ushtron presion mbi shumë qytetarë në Kosovë, pasi të ardhurat e tyre nuk mund të zënë hapin.

“Situata është veçanërisht kritike për qytetarët që jetojnë në varfëri ose afër kufirit të varfërisë, sepse, në krahasim me të tjerët, ata shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim, për faturat e energjisë dhe për ngrohjen e shtëpive të tyre gjatë dimrit. Pra, edhe një rritje e vogël e çmimeve do të kishte implikime të forta në atë se sa mund të konsumojnë”, është shprehur Record. / REL