Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se 32 serbët që për vite me radhë janë paguar pa punuar, i janë rikthyer punës. Kjo, sipas Nagavcit, ka ndodhur pasi që ajo, kur e kishte marrë mandatin kishte kërkuar që të largoheshin nga listat.
“Në momentin që e kam marr detyrën kam konstatuar që janë 32 zyrtarë serbë që nuk iu dihet as kontakti. Që nga viti 2015 deri 2021 janë paguar pa asnjë analizë. Unë iu kam kërkuar që të hiqen nga listat, pas kësaj këta janë lajmëruar dhe kanë thënë që është dashur t’u ofrohen kushtet për punë dhe se asnjëherë nuk janë kontaktuar nga askush. Si ministri jemi siguruar që t’iu kërkojmë punë dhe llogari. Këtë zyrtarë i kryejnë punët dhe japin llogari çdo muaj. Konsideroj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Nagavci, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është shqyrtuar Raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të MAShTI-t, për vitin 2021.
Këtë Nagavci e ka thënë pasi që deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ministren për pagesë të këtyre zyrtarëve.
“Keni thënë se do t’i hiqni nga pagesat mësimdhënësit, e tani keni bërë marrëveshje. Po duket që tradita po vazhdon. Zyra Kombëtare thotë që pas dy muajve janë paguar këta zyrtarë”, është shprehur Bajrami.
Kritika për pagesën e serbëve ka pasur edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
“Çfarë kushtesh u keni krijuar ju serbëve. Ti si ministre ke dështuar, ku jo vetëm që keni shkel Kushtetutën por edhe e keni degraduar arsimin”, ka theksuar Bytyqi.
Ajo ka thënë se nuk e di se pse ministrja nuk po dorëhiqet.
“Në tri të shtune nuk keni arritur të mbani procesin mësimor. Nuk e di pse nuk po jep dorëheqje. Tani po vjen e po na tregon për arsimin, ju duhet të largoheni nga kjo pozitë”, është shprehur Bytyqi.
Nagavci ka thënë se asaj i është dashur të kryej punët që ministrat para saj i kanë lënë pa bërë. Ajo ka thënë se ka gjetur parregullsi në një projekt 5 milionësh të Qeverisë së Ramush Haradinajt.
“E nderuar jam mjaft e përgatitur dhe punët që nuk i keni bërë ju, më është dashur mua t’i bëjë. Nuk kam asnjë interes që të flas për të kaluarën, por në projektin 5 milionësh që është nënshkruar nga qeveria Harajdinaj, më është dashur kohë t’i shohë pagesat e kur kam parë parregullsi e kam dërguar në gjykatë, prandaj janë vonuar pagesat”, ka theksuar Bytyqi.
Nagavci ka theksuar se kanë bërë perfomancë të mirë dhe kanë realizuar shumë rekomandime që ZKA-ja ka dhënë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.