Bislimi: Plani franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur online në Konferencën e Sigurisë të mbajtur në Beograd, ka shprehur qëndrimin se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës. Në panelin e diskutimit dedikuar Kosovës dhe Serbisë është theksuar se Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë për ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për ndërtimin e besimit reciprok që do të çonte kah normalizimi i marrëdhënieve dhe në këtë drejtim e kanë vëmendjen serioze të partnerëve evropianë, është thënë të premten në panelin “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, të mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Gjatë paraqitjes online në këtë diskutim zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur qëndrimin se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës, duke shpalosur pak detaje në këtë drejtim.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdo modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të atij modeli s’janë të përfshira në dokumentin e shpërndarë për të dyja palët. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog në Bruksel ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj, nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë Bislimi.
