Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

35 vjet pas, çmohet lart vepra heroike e Rexhep Malës e Nuhi Berishës

Në 35 vjetorin rënies heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, është çmuar lartë sakrifica e tyre.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe te varret e tyre, e pas kësaj ka thënë se “në kërkim të lirisë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të parët u nisen me guxim, duke u vënë në ballë të rezistencës shqiptare”.

“Me aktin e tyre heroik dëshmuan se është vetëm një rrugë, ajo e luftës për çlirim. Në nderim të 35-vjetorit të rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, kam bërë homazhe te lapidari dhe te varret e dy heronjve, në kompleksin e Dëshmorëve në Gjilan. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre!”, ka thënë ai.

Image

Në profilin e tij në Facebook, ka shkruar kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti. E ka quajtur agim të përgjakur atë të 35 viteve më parë, në Prishtinën e 12 janarit 1984.

“Pas një rezistence të armatosur që zgjati një natë të tërë, u vranë prej pushtuesve serbë Rexhep Mala, asokohe 33 vjeçar, nga Hogoshti i Dardanës, dhe Nuhi Berisha, 23 vjeçar nga fshati Svircë i Dardanës.

Dy dëshmorët u vranë në lagjen e cila më pas për nder të tyre u quajt Kodra e Trimave. Dëshmitarët, të cilët janë ende gjallë, tregojnë se përgjatë rrethimit, në shkëmbim të vazhdueshëm të plumbave, dy dëshmorët tanë vazhdimisht kanë kënduar këngë patriotike”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shtuar tutje se “në atë natë të errët të shtypjes mizore, banorët e Kodrës së Trimave e panë të parët dritën e Flakës së Janarit, dritë e trimërisë, dritë e plumbave, dritë e këngës, drita e gjakut të pastër të dëshmorëve të rënë për idealin e çlirimit e bashkimit kombëtar”.

“Rexhep Mala e Nuhi Berisha, njëri mësues e tjetri student, ishin të patrembur. Rexhepi, si më i vjetër, kishte mbajtur edhe 9 vite burg, i arrestuar në 1974 bashkë me grupin e Adem Demaçit. Prej tij na ka mbetur ditari i burgut. Ndërsa Nuhiu, edhe pse shumë i ri, kishte tashmë përvojë revolucionare me pjesëmarrjen në demonstratat e 1981, që në moshën 20 vjeçare”, ka shkruar Kurti, përcjell Koha.net. “Në 35 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha duhet t’ia përkujtojmë vetes misionin tonë historik, idealin tonë kombëtar, që e marrim prej dëshmorëve. Rruga jonë është rruga e tyre. Dhe veç në respekt të dëshmorëve përkulemi!”, ka shtuar më tej.

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, po në Facebook, ka kujtuar dje veprën e Malës e Berishës.

“Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë, në saje të sakrificës së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Ndërkaq, sot e 35 vjet më parë, në një qëndresë heroike përballë aparatit policor serb e jugosllav, ranë trimërisht dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Rënia e tyre u bë motiv shtesë për brezat që kishin ideal çlirimin e Kosovës. Lavdi heronjve të Janarit!”, ka shkruar Thaçi.

Artikuj të ngjashëm