Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka tentuar të “ndërmjetësojë” në formë ironizuese midis ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, pasi dy palët këmbëngulnin se kanë meritat kryesore për renditjen e Kosovës në Indeksin vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”.
Haxhiu thoshte se renditja e Kosovës në WJP ka ardhur falë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa Musliu iu kundërpërgjigj se kjo ka ardhur nga një opozitë konstruktive në kritika.
“Për herë të parë duhet ta pranoni që nuk përmenden ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë. Gjejeni një fjali që thotë ndërhyrje politike dhe unë jap dorëheqje. Përmenden interferimet, por jo ndërhyrje politike. Sepse nuk ka ministra e deputetë që i thirrin gjyqtarët dhe u thonë se si ta zgjidhin një lëndë e qysh me e mbyll syrin për një lëndë. Në vend që të na i pengoni reformat që i kemi nisur ju ftoj të na bashkoheni në rrugën që kemi nisur. Asnjë skandal korruptiv sepse shkeljet që i kemi gjetur i kemi adresuar në prokurori”, ka thënë Haxhiu.
“Nëse raportet nuk shkruhen për ndërhyrje, është rezultat i opozitës më shumë se i pozitës. S’keni lënë zyrë pa shku me thënë korrupsioni, korrupsioni sa ishit në opozitë. Ata shkruajnë çka dëgjojnë. Ka ndryshuar situata sepse opozita është përmbajtjesore, nuk është demagogjike, nuk është shpifëse, nuk është intrigante. Nuk shkojmë me raportu e me qajt. Nuk keni lënë ambasadë pa shku me qu letra. Prandaj po, ka raporte pozitive sepse kemi një opozitë të shëndoshë në Kuvend”, ishte kundërpërgjigja e deputetes së PDK-së.
Por ministrja e Drejtësisë këmbënguli që e drejta është në anën e saj, duke thënë se “organizatat ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me të nime”. Ajo madje theksoi se Kosova nuk ka pasur opozitë dhe qeverisje më të mirë sesa Lëvizja Vetëvendosje.
Këtu ndërhyri kryetari i Kuvendit, i cili në formë ironizuese iu drejtua Albulena Haxhiut: “Pse nuk po i ndani ngapak meritat? Albulenë, e monopolizove krejt, edhe në opozitë më të mirët, edhe në qeveri më të mirët. Ngadalë se mësyshi pastaj...”.
Musliu mori edhe një herë fjalën, duke i thënë Haxhiut se pajtohet pjesërisht me të. “Vërtetë jeni vetëm për opozitë, pasi si Qeveri jeni dëshmuar që s’ia keni haberin”.
Më pas, ministrja e Drejtësisë tha se ka mbetur pa tekst dhe nuk do të replikojë.