Arbëri

Eksperti i OSHP-së rekomandoi në dy raste blerjet e barnave pa certifikatë të cilësisë

Në dy raste prokurimi eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Agim Sheqiri, ka nxjerrë opinionin që kompanitë mund të fitojnë tenderë për barna pa pasur për to certifikatën e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit. Sheqiri ka kërkuar ballafaqim me KOHËN në lidhje me ekspertizat e tij, por nuk i është përgjigjur kërkesës për intervistë. Edhe në OSHP kanë refuzuar të ofrojnë përgjigje në pyetjet për këta tenderë.

Muaj më parë Zyra e Prokurimit ka hapur tender për furnizim me barna për Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky shërbim dhe Zyra e Prokurimit kanë refuzuar që ta përfshijnë si kriter ligjor në dosjen e tenderit obligimin e kompanive për të pasur autorizim marketingu për barnat, me të cilat ofertojnë në tender.

Procedurat kanë përfunduar në gusht, por në Ministrinë e Shëndetësisë treguan se tenderi ishte anuluar për shkak që sekretari Naim Bardiqi refuzoi ta nënshkruante kontratën për shkak të mungesës së përmbushjes së këtij kriteri.

“Kontrata për të cilën kanë qenë pyetjet nuk është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm për shkak se SP ka konstatuar se DSHB dhe Zyra e Prokurimit kanë refuzuar të përfillin kërkesën për autorizim marketingu në aktivitetin e prokurimit në fjalë, derisa ekziston një qëndrim dhe opinion ligjor i cili i thotë MSh-së se blerja pa autorizim marketingu përbën shkelje të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Dhe për këtë çështje janë marrë në pyetje me kërkesë të prokurorit nga Policia e Kosovës zyrtarë të MSh-së. Pra, për shkak se është konstatuar se DSHB dhe Zyra e Prokurimit nuk e kanë përfillur kërkesën për AM dhe kanë hapur procedurë të prokurimit, dhe po ashtu disa produkte në listë nuk ishin të regjistruara në AM”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Pasi tenderi është anuluar, një nga kompanitë që ishte rekomanduar si fituese është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky institucion ende nuk ka vendosur për këtë lëndë.

Por eksperti Agim Sheqiri tashmë e ka nxjerrë ekspertizën, sipas të cilit kompanitë mund të ofertojnë me barna për të cilat nuk kanë certifikatë të cilësisë, garancisë dhe sigurisë.

“Asnjë nga dispozitat e nenit 62 të Ligjit të Prokurimit Publik nuk janë marrë për bazë me rastin e anulimit të aktivitetit të prokurimit edhe përkundër asaj që në mënyrë eksplicite parashihen situatat se si Autoriteti Kontraktues mund ta anulojë një aktivitet të prokurimit. Si justifikim i Autoritetit Kontraktues është që zyrtari kryesor administrativ bazohet në një opinion ligjor dhe gjoja se çmimet në disa pozicione janë të larta dhe si i tillë aktiviteti duhet anuluar”, thuhet në ekspertizën e Sheqirit.

Rekomandimi i ekspertit Sheqiri është që Bordi i OSHP-së të anulojë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit. Por, Bordi i Gjykatës së Tenderëve ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Sheqiri ka kryer edhe ekspertizën për tenderin e insulinave. Edhe në të ka konstatuar që barnat mund të blihen pa autorizim marketingu.

Për këtë çështje KOHA ka dërguar javën e kaluar pyetje tek zyra për media e OSHP-së dhe te kryesuesja e këtij organi, Vjosa Gradina. Deri të martën nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk janë siguruar as nga eksperti Sheqiri, por ai të hënën në adresë të kompanisë e edhe në adresë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ka nisur një email me të cilin ankohet për raportimet e KOHËS për tenderët me barna, ndonëse as emri e as ekspertiza e tij në këto dy raste ende nuk ishin publikuar.

“Sipas Kodit Etik dhe rregullave të tjera, gazetari kur publikon lajmin paraprakisht do të duhej të kërkonte informata nga eksperti në fjalë, në mënyrë që të informohet saktë e jo të krijojë amulli në publik, siç po pretendohet nga znj. Ramaj. Zonja e nderuar ndoshta ka qëllime të mira, megjithatë ne konsiderojmë se deklaratat e saja janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik dhe nga deklaratat e saj shihet se është keqinformuar lidhur me këto procese të prokurimit”, thuhet në reagimin e Sheqirit.

KOHA ka pyetur në OSHP nëse ky institucion dhe kryesuesja e tij qëndrojnë pas përmbajtjes, por përgjigjet kanë munguar edhe në këtë rast. Sheqiri ka kërkuar “ballafaqim” me KOHËN për ekspertizat e tij në lidhje me tenderët e barnave. Por, nuk është konfirmuar kërkesa që i është bërë për intervistë.