Arbëri

Reduktohen punët në Pallatin e Drejtësisë shkaku i mungesës së oksigjenit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim të premten që të bëjë reduktimin e aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas një njoftimi për media, ky vendim është marrë për shkak të gjendjes së rënduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura te prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

“Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativë për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore. Situata e krijuar në këtë objekt me pasoja shëndetësore nuk i takon përgjegjësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke qenë se i njëjti ka ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme brenda kompetencave të veta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi madhor. Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

KPK-ja ia ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt.

“Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent. Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt”, përfundon njoftimi.

Punonjësit në Pallatin e Drejtësisë që ndodhet në lagjen “Prishtina e Re” vazhdimisht janë ankuar për mungesë oksigjeni në objekt.