Eksportuesit kërkojnë përkrahje nga Qeveria, ankohen për certifikata e pengesa nga Serbia
Foto: Driton Paçarada/KOHA
Në edicionin e 22-të të panairit Agrokos, prodhuesit vendorë kanë shprehur ankesa për pengesa përkitazi me eksportimin e produkteve të tyre, tek kanë kërkuar përkrahje nga Qeveria. Ata janë ankuar për vonesa në lëshim të certifikatave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ashtu si edhe për vështirësi në kalimin e produkteve të tyre nëpërmjet Serbisë. Në AUV kanë thënë se janë ndërmarrë masa në këtë drejtim
Mbështetje më të madhe nga Qeveria kanë kërkuar të enjten pjesëmarrës të panairit të 22-të “Agrokos”, të cilët në tregun ndërkombëtar plasojnë produkte bimore dhe shtazore.
Mërgim Behrami, eksportues i petëve të gatshme dhe të picave të ngrira, ka thënë se për një vit e gjysmë fitimin e ka rritur në masë të madhe falë eksportit që e ka filluar së fundi. Megjithëkëtë, ai ka theksuar se kishte hasur në pengesë për plasimin e picave të ngrira, të cilat kanë përmbajtje shtazore.
“Me eksport kemi filluar tash e një vit e gjysmë dhe rëndësia e eksportit është shumë e madhe. E shohim edhe vetë, për shkak se ne jemi prodhues edhe i picave të ngrira, por eksport të picave nuk po mundemi të bëjmë, për shkak të pengesave që Kosova i ka si shtet”, ka thënë Behrami.
Tregtarë të tjerë kanë shprehur ankesa për pengesat që u shfaqen në raport me Serbinë.
Besnik Lila, eksportues i boronicave, ka thënë se shteti serb e vështirëson qasjen në treg ndërkombëtar me anë të kërkesave për dokumente të shumta, edhe në rastet kur ajo nuk është destinacion i produkteve të tyre.
“Problemet mund të jenë ndonjëherë të tipit burokratik, ndoshta të transitit nga Serbia me maune, sepse ne e organizojmë edhe transportin për në tregjet evropiane. Këto mund të jenë sfida, përndryshe klima është e përshtatshme, mundësitë janë”, është shprehur Lila.
Disa nga eksportuesit kosovarë kanë theksuar të kenë pasur rritje të vazhdueshme edhe te produktet organike. Por Bejtush Gashi, eksportues i mjedrës dhe i kërpudhave, është ankuar për vonesa në lëshimin e certifikatave nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Eksportet zakonisht janë me terminë, domethënë kontrata bëhet me termin, dërgesa... Nuk ka mundësi, për shembull, në qoftë se produkti është caktuar të jetë në orën 6 dhe në orën 7 të mëngjesit në linjën e shkarkimin në një kompani në Austri… na krijohen vonesa, shkojmë për ta marrë fitocertifikatën thonë: jo është inspektori, jo s’është, jo ka dalë në terren e ne përmes shoqatës na duhet ta bëjmë një takim me ministrin, me drejtorin e AUV-it dhe të mundësohet që të jetë një zyrë e veçantë për fitocerifikata. Të mos na neglizhojnë, shko te dera në orën 12 e prit deri në orën 4”, është shprehur ai.
Në AUV kanë thënë se certifikatat e këtilla lëshohen brenda ditës, kur kërkesa adresohet në mëngjes dhe se nuk u janë adresuar të këtilla më herët.
“Për këtë çështje ekziston vendimi i Ministrisë, sipas të cilit, aplikimi për fitocertifikatë, nëse bëhet paradite, lëshohet pasdite. Kur operatori ekonomik aplikon pasdite, fitocertifikata merret të nesërmen. Ne kemi arritur që t’i përshpejtojmë këto procedura. Kur pala aplikon paradite deri në ora 10:00 fitocertifikata merret paradite të njëjtën ditë. Pastaj, nga ora 11:00 deri në orën 15:00 kryen aktivitete inspektimi dhe po ashtu nga ora 15:00 deri në 16:00 pranon aplikimin dhe fito i lëshohet menjëherë, po të njëjtën ditë. Ne po ashtu kemi organizuar edhe inspektorë kujdestarë të shtunave, i cili ekskluzivisht merret vetëm me lëshimin e fitocertifikatave për eksport d.m.th ditë pune shtesë vetëm për ketë qëllim”, është thënë në përgjigjen nga AUV-i për KOHËN.
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar të enjten panairin bashkë me një pjesë të kabinetit të tij qeverisës. Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ai i Bujqësisë, Faton Peci dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacolli, kanë vizituar stande të shumta, duke përfshirë edhe ato të pjesëmarrësve nga Bosnjë-Hercegovina dhe nga Mali i Zi.
Nëpërmjet një komunikate për shtyë nga Qeveria është bërë e ditur se kryeministri i ka shprehur përkrahje sektorit të prodhimeve ushqimore dh të bujqësisë.
“Ai ritheksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nisma që promovojnë sektorin agro-ushqimor dhe rrisin mundësitë e fuqizimit ekonomik në sektorin e bujqësisë... Me këto synime, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, ka planifikuar mbi 52 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale, ku nga këto veçse kanë përfunduar pagesat në vlerë prej rreth 42 milionë euro. Ndërsa janë ndarë mbi 26 milionë euro në kuadër të Programit për Zhvillim Rural/Grante në Bujqësi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Vizita e kryeministrit është realizuar në përmbyllje të panairit dyditor, në të cilin janë përfshirë 137 ekspozues, kryesisht vendorë dhe nga vende si Mali i Zi, Italia dhe Bosnjë-Hercegovina. Panairi është organizuar nga “CEO - Congress and Event Organization”, ndërsa Qeveria e ka mbështetur koston e paraqitjes së 80 për qind të ekspozuesve vendorë.