Arbëri

Pas PDK-së, edhe LDK-ja refuzon ftesën e Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur për të premten nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi tha të enjten për KSP-në, se i pari i ekzekutivit duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës dhe se aty ky subjekt politik do t’i ritheksojë qëndrimet e veta.

“Për temën e dialogut, kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak. Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, tha ajo.

Ftesën e Kurtit e refuzoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, me arsyetimin se nuk merr pjesë në takime ku diskutohen çështje teknike. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pranuar ftesën e Kurtit.