Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik që i hap rrugën blerjes së barnave pa autorizim marketingu, mbështetur në bazën ligjore dhe në personat që kanë punuar në infrastrukturë ligjore, del të jetë kundër qëllimit për rregullimin e tregut farmaceutik.
Një ilaç që blihet në barnatore ose kontraktohet nëpërmjet tenderëve publikë, medoemos duhet të këtë Autorizim Marketing. Në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore sqarohet se Autorizim Marketingu, krahas cilësisë, e garanton edhe sigurinë dhe efikasitetin e ilaçit.
“Autorizim për Marketing - Leje e dhënë nga AKPPM-ja për aprovimin e barit për treg, bazuar në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet për përdorim human në tretmanin terapeutik”, thotë ligji.
Por jo të gjitha barnat mund të kenë Autorizim Marketingu, jo për shkak të institucioneve në Kosovë, por për faktin që kompani të caktuara farmaceutike, si rrjedhojë e tregut jo të madh të pacientëve në Kosovë, nuk kanë interesim për t’i regjistruar barnat.
Për të gjitha ilaçet e paregjistruara, Ministria e Shëndetësisë kishte nxjerrë gjatë vitit 2014 një udhëzim administrativ që e lejon importimin e tyre, po qe se ato nuk ekzistonin në tregun e Kosovës.
Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve dhe ish-kryeshef i Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore në kohën e pranimit të Udhëzimit Administrativ, thotë se qëllimi asokohe ishte tjetër. Në mënyrë indirekte ai e ka kontestuar vendimin e OSHP-së.
“Gjithmonë është menduar që këto janë produkte që do të hyjnë në sasi të vogla, që do të plotësojnë vetëm nevoja specifike, të pacientëve individualë në mënyrë që ata t’i marrin në mënyrë të rregullt e jo në mënyrë ilegale”, tha Jakupi.
Jakupi ka sqaruar nëse ky udhëzim administrativ vlen për tenderë.
“Jo në raste specifike, por në raste kur vërtet një produkt nuk gjendet, atëherë të mund të furnizohet, sepse në momentin që ka ndonjë bari nga kategoria me Autorizim Marketingu nuk mund të lëshohet leja e importit për këtë tjetrin. D.m.th. në rast që një kategori ose indikacion të caktuar ka ose ekziston bar paralel nuk mund të lëshohet leja për import për këtë tjetrin. Nuk mund, sepse të krijohet konkurrencë jo e drejtë për një kompani, që ta themi, ka zhvilluar të gjitha procedurat e zhvillimit e hapjes së biznesit, punësimit të personelit, zhvillimit të farmokovigjilencës, pra të gjitha kriteret që parashihen për një kompani që mund të sjellë barna dhe të jesh në situatë që dikush tjetër të mund të shfrytëzojë udhëzimet e tilla dhe të krijojë një konkurrence të tillë”, tha Jakupi.
Në Listën Esenciale të reviduar në vitin 2019, mes insulinës përmendet vetëm ajo analoge. Kjo, sipas Jakupit, nënkupton se duhet të kontraktohen kompanitë që kanë Autorizim Marketingun, pasi që grupimi nuk është bërë në bazë të llojeve të insulinës.
KOHA ka kontaktuar edhe Qeverinë lidhur me çështjen. Përmes një përgjigjeje të përgjithshme, ky institucion ka deklaruar se asnjë praktikë e vendosur në të shkuarën nuk do të lejohet që të përdoret për të abuzuar.
“Duke ju falënderuar për interesimin, ju njoftojmë që siç ju kanë njoftuar tashmë në Ministrinë e Shëndetësisë, me rastin jemi të njoftuar dhe po trajtohet, duke marrë parasysh përgjegjësitë që ka secili institucion në këtë çështje. Ministria e Shëndetësisë, siç ju kanë njoftuar, janë të përkushtuar që asnjë praktikë e vendosur në të kaluarën që jep shkas apo përdoret si formë për abuzim në fushën e produkteve farmaceutike të mos lejohet të shkaktojë dëme të çfarëdo natyre. Për çdo zhvillim në këtë çështje dhe të ngjashme do të bëhet njoftimi përkatës publik”, tha zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi.
KOHA ka raportuar se OSHP-ja, me anë të një vendimi javën e shkuar ka krijuar precedent, duke e lejuar pjesëmarrjen në tenderë edhe të kompanive që barnat nuk i regjistrojnë fare në Kosovë.