Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka shprehur të hënën, mbështetjen për grevën e profesorëve universitarë në Shqipëri për rritje pagash.
Ai tha se greva duhet mbështetur nga studentët dhe qytetarët.
“Sot, universitetet e vendit ishin në grevë. Unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjës të universiteteve dhe studentë që u përgjigjën thirrjes së sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme që ka objektiv kryesor realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve. Pas qëndrimit cinik, arrogant, të papërgjegjshëm të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky vendim është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona”, tha ai.
Në konferencë për media, ish-kryeministri tha se pagat e profesorëve në Kosovë janë dy herë më të larta se në Shqipëri.
“Pedagogët, punonjësit, studentët e universiteteve nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që sot gëzojnë kolegët e tyre të Universitetit të Prishtinës. Sot në Universitetin e Prishtinës, pagat janë afërsisht dy herë më të larta se sa në Universitetin e Tiranës. Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve vendosi të japë për çdo student 100 euro në mënyrë që ata të mund të përballojnë rritjen e çmimeve të transporteve dhe të qirave. Gjithashtu Universiteti i Prishtinës ka një buxhet 6-8 herë më të lartë se ai i Tiranës për kërkimet shkencore. Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës ka një buxhet qartësisht më të ulët se Shqipëria, por në Shqipëri qindra milionë euro vidhen për tre djegës të cilët de facto nuk ekzistojnë”, shtoi ai, raportoi KSP.
Viti i ri akademik në Shqipëri u shënua me bojkot të mësimit.
Profesorët e Universiteteve të Tiranës i janë përgjigjur thirrjes së sindikatës për të pezulluar procesin mësimor, me kërkesën për rritje prej 50 për qind.