Arbëri

Rektorati i UP-së pa zgjidhje për objektin e Bujqësisë, s’zhvendoset largpërçuesi

Foto: Koha

Shkelja e kushteve teknike të vendosura nga KOSTT-i, gjatë ndërtimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka lënë studentët e këtij fakulteti pa hapësira të veta. Zyrtarët e Fakultetit si zgjidhje e shohin zhvendosjen e largpërçuesit të tensionit të lartë, por në KOSTT kanë bërë të ditur se zhvendosja nuk është opsion. E për funksionalizimin e objektit të ri, Rektorati i UP-së ende nuk ka një zgjidhje.

Peng i mosfunksionalizimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, i cili ka filluar të ndërtohet afro një dekadë, ka mbetur çështja e një largpërçuesi të tensionit të lartë që ndodhet afër objektit.

Kushtet teknike të lëshuara nga KOSTT-i për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi nuk u respektua kur filloi të ndërtohej objekti.

Në Fakultet kanë kërkuar zhvendosjen e largpërçuesit pasi, sipas tyre, përbën rrezik për jetën dhe pamundëson kyçje në rrjetin elektroenergjetik.

E në KOSTT kanë sqaruar se pse zhvendosja nuk është opsion.

“Sa i përket pyetjes suaj konkrete, sqarojmë që, KOSTT-i nuk bën zhvendosje të linjave për nevoja të palëve të tjera. Çdo investim i KOSTT-it duhet të reflektojë në tarifa të konsumatorëve, andaj konsumatorët nuk mund të ngarkohen për nevoja të palëve të tjera”, ka thënë zëdhënësja për media e KOSTT-it, Zana Bajrami-Rama.

Stafi i Fakultetit javë më parë ka thënë se menaxhmenti i Universiteti të Prishtinës është duke diskutuar me një grup ekspertësh nga Sarajeva për të gjetur një zgjidhje.

Në Rektorat e mohojnë këtë, e njoftojnë se zgjidhje konkrete për situatën ende nuk kanë.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ është duke i analizuar të gjitha opsionet e mundshme me qëllim të funksionalizimit të objektit në afat sa më të shkurtër kohor. Fillimisht do të zgjidhet çështja e kyçjes në rrjetin elektroenergjetik, e pastaj organi mbikëqyrës do ta konstatojë kryerjen e punëve të tjera”, ka thënë u.d. sekretar i përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi.

Për mosfunksionalizimin e objektit që ka rreth 9 mijë metra katrorë, e që u shpenzuan mbi 3 milionë euro, studentët kërkojnë që organet kompetente t’i marrin seriozisht hetimet mbi procedurat e prokurimit.

“Të hapen sirtarët në lidhje me ndërtimin e këtij objekti, për shkak se kjo tejzgjatje bën që t’i vejmë dyshimet tona që mund të ketë edhe shumë manipulime dhe shumë tenderime në mënyrë të çrregullt, edhe përfundime të shumë punëve që realisht është dashur të përfundonin më vonë e janë kryer më herët, kjo ka sjellë një kaos të jashtëzakonshëm”, ka thënë Hamit Shala, student në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Për problemet që lidhen me procesin e ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës janë zhvilluar hetimet nga Prokuroria e edhe janë suspenduar zyrtarë.