Arbëri

Punonjësi britanik i KFOR-it e gjen përkthyesin kosovar 20 vjet pas shkëputjes së kontakteve

Descriptive Text

Të shtunën e 15 tetorit në një faqe në Facebook ku zakonisht qytetarët e Prishtinës kërkojnë ndihmë për shumëçka, edhe një djalë nga Amsterdami ka kërkuar ndihmë.

Tom Garrod-Pullar ka pyetur anëtarët e faqes “Network Prishtina” nëse dikush e njeh një burrë me emrin Genc, që ndoshta mund të jetë në të 50-at e tij e që mbiemri i asocon me diçka si “Dumanya”.

Qëllimi i kërkesës së tij ishte që të ribashkojë babanë e tij që dikur punoi në KFOR me përkthyesin shqiptar, me të cilin kanë ndarë katër vjet pune së bashku.

Qëllimit ia ka arritur.

As një orë pas shkrimit, dikush është lajmëruar në koment. Lekë Demjaha, i biri i ish-përkthyesit Genc Demjaha, iu është përgjigjur Tomit: “Mund të jetë babai im”.

Ata janë pajtuar që të rikthejnë kontaktin.

Christopher Pullar kishte punuar me KFOR-in nga viti 1998 për rreth katër vjet, sipas djalit të tij. Si përkthyes me të kishte punuar edhe Genc Demjaha, por që katër vjet më pas kishin shkëputur tërësisht kontaktet.

Pullar aktualisht punon për Ministrinë britanike të Mbrojtjes.