Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Washingtonit.
Në një shkrim në Facebook, Mustafi ka thënë se “miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe e përjetshme”, teksa ka postuar fotografi nga takimi me të deleguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.
“Zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit. Miqësia me SHBA është e përhershme dhe e përjetshme. Lugina e Preshevës është në fokus u nënvizua në takim me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njëkohësisht zëvëndës-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit”, ka shkruar ai.
Në takime me Escobarin ka qenë edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai ka thënë se me Escobarin është diskutuar për nevojën e trajtimit të drejtë edhe të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e për nevojë të trajtimit të barabartë e reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta.