1 perditesime
23:37

Pacolli: Kuvendi shënoi sukses, por puna e tij nuk matet me pjesëmarrje në seanca

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, deklaroi se Kuvendi i Kosovës mori kritika për mospunë nga Raporti i Progresit, por që sipas saj, puna nuk matet vetëm me pjesëmarrje në seanca.

Pacolli u shpreh se suksesi më i madh ishte kalimi i ligjeve, 87 për një sesion.

“Ka pasur mungesa të deputetëve në Kuvend. Suksesi i Kuvendit nuk matet me pjesëmarrjen e deputetëve, por me kalimin e ligjeve. 87 ligje i kemi kaluar, ky është sukses. Është sukses i punës së Kuvendit, po ashtu janë 2 procese që kanë ndodhur: Krijimi i reformës zgjedhore dhe rregullorja e re, që do ta rregullojmë edhe funksionimin e seancave”, deklaroi ajo.

Sipas deputetes së VV-së, ky sesion i Kuvendit do të ketë pjesëmarrje më të madhe të deputetëve, ndërsa tha se ka përmirësime në gjuhën e përdorur nga deputetët.

E pyetur për gjetjet e Raportit të Progresit, i përpiluar nga Komisioni Evropian Pacolli tha se ka çështje pozitive të regjistruara, por edhe pika që duhet punuar më tej.

Pacolli tha se Kosova i ka bërë edhe disa hapa pozitivë që BE-ja nuk po i vlerëson, e sipas saj, hap i tillë është garantimi i Kosovës si shtet i pavarur.

“I kemi bërë disa ecje pozitive, që ndoshta BE-ja nuk i vlerëson. E kemi siguruar që Kosova të konsiderohet shtet i pavarur në rastin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë. E kemi fituar atë pjesën si shtet sovran, ku nuk mbahen zgjedhjet e një shteti në shtetin tënd. Është përmendur në secilin raport arritja e një marrëveshjeje dhe kërkohet që dy shtetet të ulen dhe të diskutojnë për marrëveshje. BE-ja duhet ta sheh nga një prizmë tjetër, Kosova është drejt thellimit të demokracisë, me një sistem demokratik dhe sistem të drejtësisë të pavarur, ndërsa Serbia po e kontrollon fjalën e lirë”, tha ajo.

Sipas deputetes, Serbia po e bllokon Kosovën në secilën fushë.

“Ka kampanja dhe organizime shumë aktive që ta pengojnë ecjen e shtetit të Kosovës drejt avancimit të saj. Tani ka qenë më i saktë raporti për Serbinë, sesa për herët e tjera. Te pjesa e drejtësisë, nëse i shohim ligjet që i kemi miratuar, nisma për veting, shihet që ka më shumë avancim në praktikë, sesa që është paraqitur në raport. Është dashur të thuhet që Qeveria ka bërë progres të mirë”.

23:05

Pacolli: Kushti i ri për vizat i padrejtë, duhet të flasim me shtetet që na mbështesin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, ka thënë se kushti i Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën i paraqitur të enjten në diskutimin e Grupit Punues për Viza të Këshillit të BE-së, është i padrejtë, duke theksuar faktin që për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë pasur këtë pengesë.

Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, në diskutimin e të enjten nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, e kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për reforma të thella dhe tani të del një kusht të ri dhe kjo është që Kosova duhet ta aplikojë këtë sistem i cili akoma nuk është në funksion as në vetë BE-në. Kjo është e padrejtë sepse shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë pasur këtë pengesë. Nëse merr kohë ky mekanizëm që të implementohet, i bie që Kosova të presë edhe më gjatë. Duhet të angazhojmë gjithë kapacitetet tona diplomatike dhe të flasim me shtete të cilat e shohin këtë si të padrejtë, sepse ato kanë thënë se nuk kanë kushte shtesë për Kosovën”, ka thënë Pacolli në "Interaktiv" të KTV-së të enjten.