Edison Jakurti, ekonomist, vlerëson se në Kosovë po bëhet një lloj manipulimi me deklaratat në lidhje me progresin ekonomik apo regresin, siç e paraqet opozita.
Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të hënën, shpjegoi se shumë terme po keqpërdoren me apo pa qëllim.
AI foli sidomos për rritjen reale 10.7 për qind, ndërkohë që sipas tij, termi “real” nga shumëkush nënkuptohet si vërtetësi.
“Dhe shumëkush sot pyet a është rritja reale ekonomike 10.7 për qind. Po, e vërtetë është, e nominalja është më tepër se 10.7 për qind. Termi real si term në ekonomi nënkupton i rregulluar për inflacionin, në diskutimet tona e ka konotacionin e vërtetësisë”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar edhe ndryshimin mes vlerave reale dhe nominale.
“Me vlera reale nënkuptojnë ndryshim të qarkullimit nëse e largojmë ndryshimet e çmimeve, e me vlera nominale ndryshimin e qarkullimit me çmime aktuale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se diskutimi për çështje ekonomike është lajm i mirë për Kosovën.
“Po flasim për çështje ekonomike, nuk po flasim për skandale e korrupsion”, shtoi ai.