Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së i ka cilësuar urdhëresat e reja të menaxhmentit të ShSKUK-së si të jashtëligjshme dhe ndërhyrje e risi në detyrat dhe përshkrimin e detyrave të infermierëve. Si masë për të kundërshtuar këto urdhëresa, në këtë sindikatë thanë se të hënën do të propozojnë edhe hyrjen në grevë. Këto urdhëresa kishte kërkuar që të anuloheshin edhe ish-ministri Rifat Latifi, për çka siç ka raportuar KOHA ishte edhe një nga arsyet e përplasjes së tij me Qeverinë.
Në takimin e së hënës Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së do të propozojë hyrjen në grevë si masë për të kundërshtuar katër urdhëresat e vendosura ndaj infermierëve.
Këto urdhëresa të menaxhmetit të ShSKUK-së për riorganizim të punës ishin edhe një nga mospajtimet e Qeverisë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili një ditë pa dhënë dorëheqje kishte kërkuar nga ShSKUK-ja anulimin e tyre.
Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Enlirat Duraku, tha se pavarësisht qëllimit të mirë që mund të ketë pasur menaxhmenti, këto rregulla janë diskriminuese.
“Ka urdhëresa ku infermieri duhet të nënshkruhet në hyrje-dalje të dhomave të pacientëve, ndërsa komunitetet e tjera që zhvillojnë veprimtari në QKUK nuk u nënshtrohen këtyre urdhëresave. Është urdhëresa që infermieri t’i evidentojë palët që frekuentojnë nëpër klinika që faktikisht e tjetërson, nuk është detyrë e infermierit. Është urdhëresa që e obligon infermierin të merr përgjegjësinë e barnatores gjatë vikendeve apo turneve të natës, që realisht infermieri nuk kompensohet për atë punë”, ka thënë Duraku.
Duraku thotë se mungon dialogu social nga menaxhmenti i ShSKUK-së.
Ka shtuar se për dy javë nuk kanë marrë përgjigje në shkresat e dërguara në adresë elektronike.
Ai kërkon që të vendosen urdhëresa të reja me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve ndaj pacientëve, por pa ngarkuar më tepër profesionin e infermierëve.
“Nuk janë në përputhshmëri me kontratën e punës, me Ligjin e punës, si dhe janë urdhëresa që faktikisht e diskriminojnë infermierin, e ngarkojnë edhe më tepër me punë dhe me angazhim, të cilat realisht nuk do të duhej të ishin në detyrat dhe përgjegjësitë e infermierit, pasi që sigurisht që tash kemi mungesë të madhe të profesionistëve shëndetësorë, respektivisht të infermierëve, ku në klinika mund të gjesh që një infermiere mund të kujdeset deri në 30 pacientë”, ka shtuar Duraku.
Me qëllim të anulimit të urdhëresave, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së kishte paralajmëruar të enjten edhe protestë para objektit të Drejtorisë së QKUK-së, të cilën e kishin pezulluar pas takimit me ish-ministrin Latifi.
KOHA ka pyetur SHSKUK-në nëse do të anulohet apo rishikohet kjo rregullore, por nuk ka marrë përgjigje.