Arbëri

PDK: Kosova po varfërohet, Qeveria po jeton jashtë realitetit

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, deklaroi të dielën se Kosova po varfërohet, ndërsa Qeveria Kurti “po jeton jashtë realitetit ekonomik”.

Ai tha para mediave se Kurti po synon t'i bindë qytetarët se nuk po ballafaqohen me vështirësi ekonomike, duke shtuar se në shifrat ekonomike, nuk po paraqiten efektet e inflacionit.

“Kryeministri po deklaron se ka krijuar 40 mijë vende të reja pune, por ndoshta e ka fjalën për Gjermaninë ose vendet tjera ku po imigrojnë të rinjtë tanë. Norma e inflacionit për produktet esenciale është mbi 20%, që do të thotë se paratë në duar e qytetarëve sot vlejnë rreth 20% më pak, sesa që kanë vlejtur para një viti. Në këtë normë të lartë inflacioni, kontribut shumë të rëndësishëm ka dhënë refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masa fiskale që do ta frenonin rritjen e çmimeve”, tha Mustafa, që brenda PDK-së bart postin e koordinatorit të Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

Ai shtoi se tash që kanë rënë temperaturat, kur nuk ka ndonjë mundësi për reagim, Qeveria po ofron mbështetje për familjet, vetëm sa për të figuruar në listën e veprimeve.

Subvencionimi për blerjen e stufës së peletit nuk ka kuptim, kur çmimi i peletit është rritur për 300%.”, tha ai.