Janë ekzekutuar të premten pasdite pagesat në vlerë të pagës për mësimdhënësit që ishin në grevë në muajin shtator.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë shkurt për KOHËN se “janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit grevistë. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ahmet Pllana nga SBASHK-u. Po ashtu disa mësimdhënës kanë konfirmuar se në llogari u kanë dalë mjetet në vlerë të pagës.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se pagesa e bërë të premten “është paradhënie për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimit, të miratuar nga MASHTI”.
Nga 25 gushti deri më 1 tetor sektorë të ndryshëm publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Qeveria i ndau nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit, por kjo s’gjeti pajtim te grevistët. Megjithatë, greva u pezullua më 1 tetor pa marrëveshje mes palëve.
Qeveria deri tash ka arsyetuar mospagesën me nenin 18 të Ligjit për greva. Ky nen parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”. Pika mbi pagesën dhe detyrimin është precizuar në ndryshimin e ligjit që është bërë në vitin 2012.
Javën e shkuar, MASHTI propozoi që në tetor të bëhet pagesë avancë si formë për zëvendësim të orëve të humbura të shtatorit. Kjo ministri vendosi për ndryshim të kalendarit shkollor dhe që orët e humbura të zëvendësohen të shtunave e në forma të tjera. As për këtë formë s’ka pasur pajtim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, e cila është ankuar për mospagesë duke e cilësuar si diskriminues vendimin, pasi që thonë se grevistët në administrata janë paguar.
Të premten, Ministria e Financave njoftoi se ka kërkuar nga komunat që t’i rikonfirmojnë listat e pagave, për të ekzekutuar avancën si pagesë për zëvendësim të orëve të humbura në shtator.
Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati për mosekzekutim të pagave.
Kuvendi të premten diskutoi për këtë çështje, por në mungesë kuorumi nuk doli në votim një rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.