Arbëri

Oda e Hotelerisë thotë se 30 për qind e bizneseve rrezikojnë të mbyllen

Foto: Koha

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka thënë se 30 për qind e bizneseve rrezikojnë të mbyllen për shkak të krizës së çmimeve dhe paralajmërimeve për mungesë të energjisë gjatë dimrit.

Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva në me takim kryetarët e Njësive Rajonale ka diskutuar për problematikat me të cilat po ballafaqohen bizneset në tërë Kosovën.

“Kryetarët e Njësive Rajonale janë shprehur shumë të shqetësuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballen bizneset e sidomos me ngritjen e çmimeve duke e argumentuar këtë me faktin se nga janari kosto e mallit është ngritur 42% e duke ia shtuar kësaj edhe problemet me të cilat bizneset do të ballafaqohen gjatë dimrit për shkak të paralajmërimeve për krizë energjetike. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar që na pret një dimër i vështirë prandaj OHTK kërkon që të gjendet mënyra që këto biznese të ndihmohen përndryshe së paku 30% e tyre rrezikojnë të mbyllen”, thuhet në njoftim.

Oda thotë se Qeveria në vend që të marrë vendime që e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e bizneseve, duhet që së bashku me OHTK-në dhe Odat tjera të gjejë mënyra për përkrahjen e tyre që të mbijetojnë.