Arbëri

Pushteti e sheh diskriminuese faljen e gjobave për shkelësit e masave anti-COVID

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie po shqyrton të mërkurën në parim projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Kundër këtij projektligji ka dalë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Nol Nushi, si përfaqësues i peticionit për dërgimin e këtij projektligji në Kuvend, ka kritikuar vonesën për shqyrtimin e këtij projektligji. Sipas tij, kjo mund t’i dekurajojë qytetarët për të marrë nisma të tilla.

“Projektligji është dorëzuar në qershor 2021. Rrafsh pas 15 muajsh po e trajtojmë këtë në Kuvend. Vonesa e Kuvendit është dekurajuese për qytetarët që duan të marrin nisma të tilla”, ka thënë në fillim Nushi, i cili thekson se janë dhënë 329 mijë gjoba të lidhura me COVID-19. “Gati një e katërta e popullsisë”.

Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçaku, ka deklaruar se nuk mund të bëhen ndasi mes qytetarëve të përgjegjshëm dhe atyre të papërgjegjshëm. Ajo e sheh projektligjin si diskriminues. Deputetja e shumicës konsideron se ky projektligj tanimë nuk ka asnjë kuptim.

“Shteti ka pasur për obligim t’i marrë të gjitha masat vetëdijësuese. Qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e zbatimin e masave dhe shumica i kanë zbatuar. Si institucionet, si qytetarët i kanë përqafuar masa emergjente. Qytetarët e përgjegjshëm që i kanë paguar këto gjoba e kanë kuptuar rëndësinë e virusit. Shteti ka vepruar në mënyrën më të mirë të duhur dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit dhe minimizu efektin e tij. E dimë sa vdekje i kemi pasur, sa raste. Tash me sukses të vaksinimit në mënyrë globale, e kemi një situatë të qetë. Ky ligj e ka hup edhe kuptimin e vet. Nuk mund t’i ndajmë qytetarët e përgjegjshëm nga ata të papërgjegjshëm, të cilët kanë rrezikuar për ta përhapur sëmundjen dhe t’i shkaktojnë rrezik të tjerëve. Qytetarët e përgjegjshëm diskriminohen me këtë projektligj”, ka thënë ajo në Komision.

Mendim të ngjashëm pati edhe deputeti i Listës GUXO që është pjesë e VV-së në Kuvend, Burim Meta.

"Nuk duhet të mbështeten ata qytetarë që e kanë shkelur ligjin", ka thënë ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që ky projektligj të trajtohet në Kuvend. Ai madje pretendon se ka pasur shkelje ligjore derisa ky projektligj ka ardhur në Kuvend.

"Ka pasur ndasi në gjobitje. Janë gjobitur qytetarët, jo politikanët", u shpreh Haxhiu. 

Kritika për Ligjin e Parandalimit dhe Luftimit të COVID-19 pati edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj. Dreshaj ka thënë se ky ligj është zbatuar në mënyrë selektive, siç thotë ai, ka qenë edhe implementimi i tij. 

"Profesionistët shëndetësorë nuk janë mbështetur ashtu siç është thënë. Duhet të veprojmë në atë mënyrë që kjo mos të përsëritet", ka thënë Dreshaj.