Ndonëse pjesë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, jo të gjithë deputetët e saj ndajnë qëndrimin e njëjtë lidhur me pagesën apo jo të mësimdhënësve të cilët ishin në grevë. Me vendimin e Qeverisë, ata që nuk punuan të mos e marrin pagën e shtatorit, nuk janë pajtuar deputetët në pushtet. Por, me gjithë dallimet mes tyre, ata vazhdojnë të deklarojnë se nuk do të ketë largime të reja nga grupi që ka shumicën në Kuvend.
Projektkodi Civil nuk është çështja e vetme për të cilën ka ndasi në qëndrime mes deputetëve të pushtetit.
Pagesa apo jo e mësimdhënësve që nuk punuan gjatë shtatorit, ka bërë që përfaqësuesit e Vetëvendosjes në legjislativ të mos ndajnë mendim të njëjtë me shefen e Grupit parlamentar e as me ekzekutivin.
Jeta Statovci e Haxhi Avdyli, që të dy pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, kanë kërkuar që pagat e muajit shtator të ekzekutohen, për dallim nga deputetë të tjerë në pushtet e nga qëndrimi i ekzekutivit se një gjë e tillë do të ishte shkelje e ligjit.
Në mungesë të pagave të shtatorit, Statovci thotë se rreth 100 mijë qytetarë do të ndikoheshin nga një vendim i tillë.
Sipas deputetes, qëndrimi ndryshe nuk do të ketë ndikim në bashkëpunimin me Vetëvendosjen.
“Kjo nuk është asnjë indikacion i ndonjë paqartësie ose përçarjeje, është parimisht vlerësim individual dhe argumentim për një çështje. Ne jemi në demokraci dhe mendimet e ndryshme besoj që i japin vetëm shije, le të themi përmes mendimeve të ndryshme i japin shije demokracisë”, ka thënë ajo.
Si deputetë, Haxhi Avdyli thotë se mund të kenë edhe qëndrime ndryshe nga Qeveria e nga grupi parlamentar, e i cili thotë ai, është në të mirë të qytetarëve.
“Ne jemi deputetë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ne e kemi marrë besimin në këtë grup parlamentar, Vetëvendosje dhe Guxo, dhe ne do t`i qëndrojmë besnik votës sonë popullore, ne do ta përkrahim Qeverinë deri në fund. Por në të njëjtën kohë ne jemi edhe deputetë të Kuvendit dhe gjithmonë të paraqesim edhe mendimet që ndonjëherë mund të mos jenë të njëjta me Qeverinë, por janë në të mirë të qytetarëve, të gjetjes së një kompromisi”, ka thënë Avdyli.
Me vendimin e ekzekutivit, që pagat e muajit shtator për grevistët të mos ekzekutohen, nuk pajtohet as deputetja nga grupi multietnik, Duda Balje.
“Tash për tash na jemi bashkë…na tash për tash jemi bashkë, tash për tash ata kanë përkrahje prej neve. Politika është shumë interesant. Sot është kështu nesër kush mundet me ditë. Por tash për tash ata kanë përkrahje prej neve”, ka thënë Balje.
Deputetëve Statovci, Avdyli e Balje, në qëndrimin kundër Qeverisë u janë bashkuar edhe disa deputetë të tjerë.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, dallimet mes deputetëve në pushtet do të shpërfaqen edhe në të ardhmen.
Evitimi i një situate të tillë, Muhaxhiri thotë se është në duar të kryetarit të Vetëvendosjes.
“Nëse kryeministri Kurti arrin që t`i zbusë këto mospajtime, atëherë gjendja do të përmirësohet. Mirëpo me këtë qasje, posaçërisht për Kodin Civil ku ka mospajtime të jashtëzakonshme dhe është një çarje e Vetëvendosjes sa i përket kësaj teme, unë mendoj që në të ardhmen do të ketë probleme shumë më të mëdha dhe kriza më të thella për shkak të dallimeve ekstreme që do të shpërfaqen”, ka thënë Muhaxhiri.
Lidhur me unitetin brenda grupit parlamentar të Vetëvendosje, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga shefja Mimoza Kusari-Lila, por të martën nuk ka marrë përgjigje.