Arbëri

Krasniqi: Banka Botërore e konfirmoi dështimin e Qeverisë në ekonomi

Descriptive Text

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria ka dështuar në ekonomi, dhe se këtë, shtoi ai, e ka konfirmuar edhe raporti i Bankës Botërore.

Në Facebook ai shkroi se vendi po kalon nëpër krizën më të thellë ekonomike që prej pasluftës.

“Raporti i ri i Bankës Botërore e konfirmoi atë që po e themi tash e sa muaj - qeveria ka dështuar në ekonomi! Mungesë investimesh, rritje ekonomike e ngadalësuar, inflacion rekord prej mbi 20% për produkte ushqimore e plot dështime të tjera evidentohen në këtë raport”, shkroi Krasniqi.

Krasniqi tha se qytetarët po bartin barrën e krizës e cila, sipas tij, është krijuar nga paaftësia e qeverisjes së kryeministrit Kurti.

“Nën këtë qeveri të papërgjegjshme, Kosova po kalon nëpër krizën më të thellë ekonomike që nga përfundimi i luftës. Dhe përballë tendencës qeveritare për të mbuluar dështimet e tyre me propagandë politike, janë qytetarët ata që mbi supet e tyre po e bartin barrën e rëndë të paaftësisë së qeverisjes së Albin Kurtit”.

Banka Botërore ka paraparë ngadalësim të rritjes reale të Bruto Prodhimit Vendor (GDP) për vitin 2022.