Arbëri

KMDLNJ-ja pret që të mërkurën të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) pret që Qeveria e Kosovës t’i procedojë pagat për muajin shtator për mësimdhënësit të mërkurën, në të kundërtën “do të bartë përgjegjësi të plotë për destabilizim eventual të situatës dhe shkelje të drejtave të njeriut”.

Në komunikatën e lëshuar nga KMDLNJ-ja thuhet se mosprocedimi i pagave për punonjësit në arsim për muajin shtator është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Edhe nëse Qeveria e Kosovës këmbëngul në vazhdim të luftës kundër sindikalistëve, KMDLNJ-ja kërkon nga SBASHK- u të mos hyjë në grevë, por të bëjë padi individuale në gjykata të rregullta. Pa asnjë dyshim se gjykatat do të marrin vendim në favor të grevistëve që në rastin konkret, padrejtësisht dhe brutalisht po penalizohen nga institucionet për një aktivitet të ligjshëm sindikalist”, thuhet në komunikatë.

Në reagim thuhet se greva ka qenë e shmangshme për ta zgjidhur problemin përmes një marrëveshjeje të negociuar, por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të refuzimit të qeverisë ndaj kërkesave të grevistëve.

“Ndonëse KMDLNJ ka pasur rezerva për këtë grevë, në anën tjetër e njeh dhe pranon të drejtën e grevës, si e drejtë elementare e njeriut dhe, në rastin konkret SBASHK-u ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin që kanë përputhje të plotë me ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë pavarësinë e plotë të organizimit dhe veprimit sindikalist”, thuhet më tej në njoftim, raporton KSP.

KMDLNJ-ja thotë se e ka përkrahur SBASHK-un duke kërkuar që Qeveria të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse kundër grevistëve.

Ky këshill e ka cilësuar cinik dhe të pamoralshëm arsyetimin se SBASHK-u duhet të kompensojë grevistët dhe sipas tij, kjo nuk kontribuon në tejkalimin e situatës.