Arbëri

SPAK-u i shqetësuar me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka thënë se është e shqetësuar me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve.

SPAK-u e ka quajtur këtë veprim si joligjor dhe të paarsyeshëm, si dhe tendencë për frikësim e shantazh.

“Ndalja e pagës është shkelje ligjore dhe ky konstatim tashmë u vërtetua nga të gjithë ata që i njohin ligjet e Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si duhet të funksionojë shteti ligjor dhe sistemi i demokracisë. E keqja dhe skandali në këtë drejtim bëhet më i madh dhe më i paperceptueshëm nga ana logjike kur dihet se, fatkeqësisht, në këtë rast shkelëse e ligjit është vetë Qeveria e cila në rrethana normale do të duhej të ishte zbatuese e ligjeve në fuqi, por, siç po shihet, kjo qeveri ka për mision shkatërrimin e sindikatave dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me demokracinë, të menduarit ndryshe, të drejtën e organizimit dhe të shprehjes së pakënaqësisë qytetare si vlera të demokracisë evropiane dhe përgjithësisht të standardit të qytetarisë demokratike. Kjo tendencë e Qeverisë paraqet rrezik për demokracinë tonë të brishtë. prandaj kërkohet ndërprerja e menjëhershme e këtyre praktikave joligjore dhe jodemokratike”, thuhet nga SPAK-u.

SPAK-u ka bërë thirrje që të ekzekutohen pagat dhe që Qeveria të ulet me sindikata e të diskutojë për kërkesat.