Të martën, në portin e Durrësit ka nisur zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën, ka bërë të ditur Ministria e Financave përmes një njoftimi.
Në njoftim thuhet se ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, kanë vizituar të martën, zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
“Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës. Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Ministri Murati ka thënë se me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në portet e Durrësit, do të ulen kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro.
Ministrja Ibrahimi tha se zhdoganimi i mallrave me destinacion Kosovën në portin e Durrësit është vetëm hapi i radhës në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durrësit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinacion Kosovën, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.
Në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.