Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, me videomesazhet e tyre nuk do t’ia arrijnë që të “frikësojnë serbët që të ndërrojnë targat”.
Ministri Sveçla të shtunën mbrëma ka postuar në Facebookun e tij një videomesazh tjetër në gjuhën serbe, ku u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës të ndërrojnë targat ilegale e t’i marrin targat RKS deri më datën 31 tetor.
“Targat KM nuk mund të jenë të paligjshme, sepse ato lëshohen nga autoritetet e Republikës së Serbisë në përputhje me procedurat ligjore në territorin e saj dhe pranohen kudo në botë. Ajo që është e paligjshme është heqja e targave të statusit neutral KS nga ana e Prishtinës, ndërtimi i bazave ilegale të ROSU-s në veri të krahinës dhe refuzimi për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe për gati dhjetë vjet, që është obligim që e kanë marrë në Bruksel”, ka thënë Petkoviq, raporton televizioni serb N1.
Duke komentuar videon e Sveçlës, Petkoviq tha se efekti i videove mund të “shpjegohet më së miri me faktin se në një muaj numri i automjeteve të riregjistruara është njëshifror, dhe vetëm dy janë serbë nga veriu i Kosovës”.
Sipas Petkoviqit, është e qartë se asnjë videomesazh i Kurtit apo Sveçlës “nuk mund t’i frikësojë serbët, sepse askush nuk mund t’ua heqë të drejtën për të qenë qytetarë të Serbisë të cilët nuk duan të jetojnë në të ashtuquajturin shtet të Kurtit”.
Afati për riregjistrim të targave nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në ato legale RKS mbaron më 31 tetor. Afati ka hyrë në fuqi më 1 shtator, ndërsa serbët e Kosovës mund të riregjistrojnë veturat me targa RKS pa paguar.