Arbëri

Nagavci paralajmëron shtimin e inspektorëve të arsimit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se do të rritet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të sigurohet cilësia në arsim, po ashtu të vlerësohet edhe performanca e mësimdhënësve, drejtorëve e zv. drejtorëve.

Ajo ka thënë se Inspektorati i Arsimit aktualisht ka 30 inspektorë në gjithë Kosovën, ndërsa së fundi në mbledhje të Qeverisë është votuar për komisionin intervistues për rekrutimin e 20 inspektorëve të rinj.

“Shumë shpejt do të hapet konkursi. Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë. Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit. Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojmë: Të sigurojmë cilësi në arsim; Të jemi me afër problemeve në shkolla; Të kemi më shumë mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore; Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës. Me qasje gjithëpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim”, ka shkruar Nagavci në Facebook.