Arbëri

Latifi e quan “historik” buxhetin aktual për barnat, por statistikat flasin ndryshe

Në takimin e parë të Komitetit kyç për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kërkoi që ky proces të përcillet me transparencë e shmangie të qindpërqindtë të konfliktit të interesit. Pos revidimit të Listës Esenciale, Latifi nuk ishte në gjendje të tregojë se për sa do të rritët buxheti për barna vitin e ardhshëm. Buxhetin e sivjetmë e quajti më të lartin ndonjëherë, ndonëse shifrat e thonë të kundërtën

Rreth tre vjet pas revidimit të Listës Esenciale të Barnave, ky proces ka filluar sërish.

Grupi Punues i themeluar me vendim të ministrit Rifat Latifi, të premten mbajti takimin e parë.

Lista e reviduar së fundi në vitin 2019 nuk u plotësua kurrë. Atëkohë kësaj liste i ishte shtuar edhe një aneks me barna me të kushtueshme, por thuajse asnjë bari nga ky aneks nuk ishte kontraktuar ndonjëherë.

Ministri Latifi mbajti një fjalim para grupit punues. Foli për proces transparent e shmangie të konfliktit të interesit.

“Shmangie të 100% të konfliktit të interesit dhe transparencës maksimale, me qëllimin kryesor që në listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesi klinik i pacientëve. Çdo shmangie nga këto nuk ka vend në këtë komitet, nuk ka vend në këtë ministri dhe nuk ka vend në këtë qeveri”, u shpreh Latifi.

Pas adresimit Latifi, u largua e komiteti vazhdoi takimin.

Kryesuesi i këtij komiteti, Driton Vela foli për pritjet nga ky proces.

“Nga ne si grup pritet që përpilimi i listës të bëhet ashtu që vendimmarrja jonë të jetë transparente e pandikuar nga konfliktet e interesit dhe bazuar në principet moderne të mjekësisë. Në listën e re do t’i plotësojmë edhe mangësitë e listës së vitit 2019. Prej miratimit të listës së fundit kanë kaluar më tepër se 3 vjet, ka ndryshime të hovshme në mjekësi, terapi të reja të cilat e kanë rritur mbijetesën ndaj sëmundjeve të caktuara dhe ne këto do t’i marrim parasysh... Nëse i përfshijmë ato me argumentet shkencore direkt do të ndikojmë në cilësinë e shëndetit të pacientëve”, ka thënë Vela.

Institucionet publike shëndetësore marrin përgjegjësi për kontraktimin e të gjitha barnave që futen në Listë Esenciale.

KOHA e ka pyetur Velën nëse pos ndryshimit të Listës Esenciale planifikohet të rritet buxheti për t’i mbuluar këto ndryshime. Ai ka thënë që për momentin nuk e ka një përgjigje të tillë. Një informatë të tillë nuk e patën as zyrtarët e MSH-së të pranishëm në takim.

Pas mbledhjes së Qeverisë, disa orë më vonë, televizioni e ka pyetur Latifin nëse do te rritet buxheti i barnave. Fillimisht, ai e ka shmangur përgjigjën, por pas insistimit ka thënë se do të ketë rritje të buxhetit, por nuk ka treguar për sa milionë.

“Normalisht që ka me u rritë, sepse nuk mundet me qenë sa ka qenë para 3-4 vjetëve”, ka thënë ai.

Latifi madje ka thënë që buxheti i ndarë për barna për vitin 2022 është më i larti në historinë e Kosovës.

“Në historinë tonë, të Kosovës, Qeveria nuk ka dhënë me shumë mjete edhe për Listën Esenciale të barnave edhe ka shtuar edhe për këtë vit”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, më 2019 e 2020 buxheti për barna ka qenë më i lartë për rreth 10 milionë euro krahasuar më atë të sivjetmin.