Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se nga mosfunksionimi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit është bërë një dëm shumëdimensional.
“550 milionë euro janë të bllokuara në OSHP, 75 për qind e tyre i takojnë komunave. Pesha e dëmit është e madhe. Kompanitë nuk po mundën të investojnë, komunat s’po mund të realizojnë premtimet e tyre”, ka thënë Salihu në “60 Minuta” të KTV-së.
Salihu e ka identifikuar OSHP-në dhe rritjen e çmimeve si dy faktorët kryesorë pse kanë pësuar rënie të madhe investimet kapitale.
Analisti i politikave të GAP-it ka theksuar se vërehet se nuk ka një klimë të mirë të komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal. Por shton se kjo ka ndodhur në çdo qeverisje.
Ai paralajmëron se funksionalizimi i OSHP-së do të krijojë telashe të tjera.
“Funksionalizimi i tij do të krijojë telashe buxhetore dhe operative në terren”, ka pohuar Salihu.