Arbëri

Kosova refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Beçiqit, shkak fusnota

Përdorimi i fusnotës tek emri i Kosovës, ka bërë që guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn, të refuzojnë pjesëmarrjen në Samitin e Beçiqit në Mal të Zi.

Samiti i Beçiqit është rikthyer pas dy vjetësh për shkak të pandemisë. Në edicionin e nëntë pritet të diskutohet për “stabilitetin financiar dhe monetar të rajonit, në kushte të rreziqeve të theksuara gjeopolitike”.

Në një nga panelet pritet të diskutojnë ministrat e Financave të shteteve të rajonit. Në listën e të ftuarve mungon emri i ministrit të Kosovës, Hekuran Murati. Në panele ishin të ftuar Mehmeti e Murtezaj.

Samiti, që organizohet nga Oda Ekonomike e Serbisë, mbledh në Mal të Zi përfaqësuesit e institucioneve financiare të shteteve të rajonit dhe biznesmenë. Sivjet, sipas organizatorëve, do të diskutohet për sfidat në sektorin financiar, përballjen me inflacionin dhe problemet me zinxhirin furnizues.

Kosova ka marrë pjesë në edicionet e kaluara, para pandemisë.