Arbëri

Gazeta serbe shkruan se dy organizata të huaja po e hartojnë statutin e Asociacionit

Gazeta serbe “Novosti” raporton se Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Institutit Evropian për Paqe u është besuar detyra për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas kësaj gazete, që të mërkurën mbrëma ka nxjerr në portal vetëm një tekst të shkurtër dhe ka paralajmëruar për të enjten, tekst më të zgjeruar, këto organizata ka muaj që po punojnë në statut, ndërkohë që një draft ka dal edhe në diskutim në Beograd.

“Siç mëson ‘Novosti’ nga qarqet diplomatike, me këtë qëllim është organizuar një takim në Beograd, në ambientet e ‘Aeroklub’, të martën, në të cilin morën pjesë përfaqësues të OJQ-ve serbe dhe shqiptare nga Kosova, misione ndërkombëtare Kosova si dhe diplomatë gjermanë. Atyre iu prezantua drafti i statutit të ardhshëm të Asociacionit, për të cilin mund të bënin komente dhe sugjerime”, ka shkruar “Novosti” të mërkurën mbrëma.

Kjo gazetë nuk ka dhënë informacione se kush i ka autorizuar këto organizata për hartim të statutit, por sipas saj, më pas ai do t’i dorëzohet emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e para 10 viteve të arritur në Bruksel. Mirëpo më pas shumë prej neneve të saj u hodhën poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Serbët pretendojnë për krijimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive, ndërkohë Qeveria e Kosova ka përjashtuar mundësinë të krijohet diçka jashtë kornizave që tashmë ka vënë Kushtetuesja.