Kuadrit të inteligjencës ushtarake të FSK-së i është shtuar edhe një i diplomuar në SHBA. Togeri Luan Haradinaj, ka diplomuar në kursin bazik për inteligjencë ushtarake në SHBA, ka njoftuar të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mehaj ka thënë se Haradinaj ka vazhduar traditën e babait të tij, Shkëlzenit dhe xhaxhait, Luanit, të cilët ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
“Oficeri ynë, Toger Luan Haradinaj diplomon me sukses të lartë në Kursin Bazik për Oficer të Inteligjencës Ushtarake në SHBA. Kuadrit tonë specialistik në fushën e inteligjencës ushtarake i shtohet edhe oficeri ynë, Toger Luan Haradinaj i cili me sukses të lartë diplomoi në Military Intelligence Basic Officer Leader Course (MIBOLC) në SHBA. Suksesi i Luanit na bënë shumë krenar të gjithëve sepse me angazhimin e pandërprerë, vendosmërinë e çeliktë, si dhe përkushtimin maksimal, dëshmon lidership të eprorit dinjitoz, duke vazhduar traditën e babait, Shkëlzenit dhe xhaxhait, Luanit, Heronjve tanë të mëdhenj të Kombit dhe Atdheut”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Suksesit të nipit, iu gëzua edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Luani i ri sot diplomoi në MIBOLC, kursi bazik për Oficer të Inteligjencës Ushtarake në SHBA. Ai na bënë krenarë të gjithëve, Shkelzenin dhe gjithë kombin. Nderime Atdheut, Luan”, ka shkruar ai.
Babai i Luanit, Shkëlzeni është dëshmor. Ai u vra më 16 prill 1999 në betejë me forcat serbe në malet e Maznikut, afër Deçanit, ndërkohë xhaxhai i tij, emrin e të cilit e mban, Luani, u vra më 6 maj 1997 në kufirin Kosovë – Shqipëri.
-
28 shtator 2022 23:19
-
Shpërndaje në: