Arbëri

Rasti Dehari, MD-ja pezullon kryeinspektorin Ylber Topalli

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar të mërkurën se ka pezulluar nga puna kryeinspektorin e Inspektoratit të Kosovës, Ylber Topalli, në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 2016.

MD-ja ka thënë se vendimin për pezullim e ka marrë në bazë të gjetjeve të Raportit të Inspektoratit të kësaj Ministrie. Ministria që drejtohet nga Albulena Haxhiu pretendon se Topalli ka bërë shkelje të rënda procedurale në rastin Dehari. 

“Procedura disiplinore ndaj Topallit është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016”, thuhet në njoftim.

MD-ja ka bërë thirrje nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.