Arbëri

Spitalet drejt kaosit për sigurimin e barnave

Po qe se brenda pak ditësh Qeveria nuk ndan buxhet për shëndetësinë publike, atëherë spitalet do të përballen me kaos për sigurimin e barnave dhe materialeve shpenzuese. Kjo ngase Shërbimit Spitalor Klinik Universitar deri më 1 janar të vitit 2023 i kanë mbetur të pashpenzuara vetëm edhe 150 mijë euro nga buxheti. E të përballur me mungesë barnash, qytetarët kanë nisur të mbledhin para nëpërmjet apeleve publike për të mos mbetur pa trajtim

E gjithë sasia e një lloj bari për trajtimin e kancerit, e planifikuar për vitin 2022, është shpenzuar ende pa hyrë në muajin tetor.

Pa shpresa se shteti do ta sigurojë këtë lloj terapie për Klinikën e Onkologjisë, pacientët janë detyruar që nëpërmjet apeleve publike të kërkojnë fonde për t’i blerë vetë barnat.

Disa familjarë po kërkojnë ndihmë të këtillë përmes një grupi në Facebook. E po qe se kjo terapi nuk sigurohet, ata thonë se jeta e të afërmve të tyre do të vihet në rrezik.

“Njëra dozë e imunoterapisë në spital mungon. Duhet ta sigurojmë dozën tjetër në Turqi, ‘ku kjo imunoterapi ka kosto të lartë me mijëra euro’. 4 seanca çdo 21 ditë, d.m.th çdo 3 javë. Gjendja secilën ditë po i vështirësohet djalit. Ju lutemi na ndihmoni urgjent me aq sa keni mundësi. Pa ndihmën e juaj nuk mundet djali ta marrë imunoterapinë, ku pas 4 seancave vendoset edhe konseliumi i mjekëve në Turqi nëse del mirë incizimi i PET SCAN për operacion'. Operacioni do të ketë një kosto të lartë, mbi 30.000 mijë euro, se ai zgjat 8 orë. Tash na duhen urgjent të hollat për imunoterapi. Ju lutemi ndihmoni!” thuhet në një ndër shumë postimet në grupin në Facebook “Network Prishtina”.

KOHA ka pyetur SHSKUK-në për këtë çështje. Në një përgjigje të shkurtër, nga ky shërbim nuk kanë treguar nëse do të ketë më furnizime gjatë vitit.

“Sa i përket imunoterapisë, momentalisht në mungesë është vetëm një produkt. Sasia e planifikuar vjetore tashmë është e shpenzuar. Sqarimet e tjera mund të merren tek zyrat përkatëse, financa apo prokurim”., ka thënë SHSKUK-ja.

Por kjo terapi është vetëm një prej barnave të shumta, mungesa e të cilave pritet në spitale publike.

SHSKUK-ja i kontrakton barnat për të gjitha spitalet e Kosovës. Por, ky institucion për 96 ditë ka në dispozicion vetëm edhe 150 mijë euro. Sipas kësaj, deri më 1 janar të vitit 2023 e gjithë shëndetësia publike ka në dispocizion vetëm këtë shumë.

Kjo konfirmohet edhe me anë të një përgjigjeje nga Drejtoria për Financa në SHSKUK.

“Nga buxheti i Listës Esenciale i vitit 2022, për barna kemi edhe 150.000.00€”, thuhet në përgjigjen e kësaj drejtorie.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Qeveria nëse ekziston një plan rreth furnizimit të spitaleve publike me barna, porse nuk i ka marrë nga asnjëra instancë.

Në nëntë muajt e këtij viti institucionet e shëndetësisë publike janë përballur me mungesa të vazhdueshme të barnave dhe të materialit shpenzues.