AVUK-u merr vendim të lejojë rikthimin në treg të produkteve “Wudy”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur që të lejojë shitjen për konsum të produktit sallam Wudy dhe virshlleve që kanë datë skadence pas 30 tetorit, pasi nuk janë të përfshira në lotet të cilat kanë qenë të infektuara me salmonell.
Lajmin e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit, Lamir Thaçi.
“Ne kemi pranuar lajmërimin apo njoftimin zyrtar nga sistemi RASF dhe në këtë lajmërim nuk është i përfshirë sallama Wudy dhe disa lote të tjera të virshlleve që kanë datë studentes pas 30 tetori 2022. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në këtë njoftim zyrtar nga sistemi RASF informata të marra nga autoritete vendit të origjinës dhe vendimet që janë marrë nga autoritetet e tjera shtetërore, ku shiten ky produkt ka vendosur që të lejoj shitjen në qarkullim për konsum të produktit sallam Wudy dhe virshlleve qe kanë datë skadencë pas 30 tetorit dhe të cilat edhe sipas njoftimeve nuk janë të përfshira në lotet të cilat kanë qenë të infektuara me salmonell. Konsumatorët do t’i gjejnë në treg prej nesër produktet e Wudy-it. Të cilat janë të sigurta për konsum sepse është bërë verifikimi i plotë janë grumbulluar fillimisht të gjitha produktet dhe është bërë verifikimi i tyre dhe gjithmonë në mbikëqyrje të rreptë të inspektoratit veterinar. Pas ndarjes dhe selektimit të tyre është vendosur që ato të cilat nuk janë të përfshira në incident t’u lejohet rikthimi në treg për qarkullim dhe konsum”, tha ai.
Po ashtu, prodhuesi italian i virshlleve “Wudy”, AIA, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se e ka bërë tërheqjen vullnetare të virshlleve në mënyrë parandaluese “për shkak të rasteve të ruajtjes jokorrekte të produkteve dhe të mosrespektimit të udhëzimeve të raportuara në etiketë, e që ushqimi mund të bëhet i papërshtatshëm për konsum nga pikëpamja mikrobiologjike”.
“Duke marrë parasysh motin jashtëzakonisht të nxehtë të kësaj vere, mundësia që produktet e përmendura të jenë transportuar dhe ruajtur në mënyrë jo të duhur dhe të konsumuara pa u gatuar ashtu siç duhet (siç tregohet në etiketë), kompania vendosi të fillojë këtë aktivitet parandalues për arsye të kujdesit dhe për mbrojtje më të lartë të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Kompania është shprehur se të gjitha produktet e përfshira në tërheqje janë të përshtatshme për konsum vetëm nëse ruhen ashtu siç duhet dhe të konsumohen pas gatimit.
“Kompania gjithashtu specifikon se ka funksionuar gjithmonë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe se të gjitha produktet tregtohen vetëm nëse kalojnë standardet e rrepta të kontrollit të brendshëm, dhe kontrollet e shumta zyrtare të kryera në ambientet e prodhimit nga ana e Autoriteteve. Këto procedura janë ndjekur edhe për llojet që përfshihen në tërheqjen aktuale. Në fakt ne saktësojmë se prania e mundshme e Listeria m. në këto produkte, si dhe në disa lloje të tjera të produkteve ushqimore, lejohet me ligj brenda kufijve të përcaktuar”, thuhet në njoftim të AIA-së.
Kjo kompani ka kërkuar falje për shqetësimet që janë shkaktuar dhe ka përsëritur se tërheqja është bërë në formë vullnetare si masë parandaluese.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.